Donika Gervalla, Qeveria e Kosoves

Gërvalla: Nuk kemi informacione për çnjohje të Kosovës

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, në një konferencë për media ka thënë se nuk kanë informacion për çnjohe të Kosovës nga katër shtete.

Deklarata vjen pasi zyrtarë të Serbisë kanë deklaruar se katër shtete i kanë hequr njohjet e shtetësisë së Kosovës.

“Sa i përket katër çnjohjeve, ne nuk kemi asnjë informacion nga asnjëri shtet dhe as nga Serbia nuk kemi. Kjo tregon dy gjëra, ose lajmi është i pavërtetë ose ata kanë kohë që punojnë për çnjohje për dallim nga ajo që deklarojnë publikisht”, tha ministrja.

Ajo shtoi se kanë pasur informacione që :Serbia në asnjë moment s’ka pushuar së punuari për çnjohje të ndryshme madje edhe në Afrikë”.

Diplomatja kosovare ka shtuar se janë duke punuar në njohje të reja.

“Është rregull i diplomacisë që të mos jepen informacione se me cilat shtete kemi arritur progres dhe sa kemi arritur. Nuk mund të tregojmë pa u finalizuar. Kemi lajme të mira”, është shprehur Gërvalla.

Mediat kanë raportuar se Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë,  Nikola Selakoviq ka thënë sot se i kishte dorëzuar presidentit serb, Aleksandar Vuçiq notat diplomatike të katër vendeve që tërhoqën njohjen e Kosovës.

Reagimi i Serbisë për çnjohjet ka ardhur pasi Kosova të enjten aplikoi për anëtarësim në Këshill të Evropës.

Sipas informacioneve zyrtare në ueb-faqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, deri më tash Kosovën e kanë njohur 117 shtete.