Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Gërvalla: Nismën “Ballkani i hapur” e konsiderojmë të rrezikshme

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla ka deklaruar se Republika e Kosovës e konsideron të rrezikshme iniciativën e shpalosur dje në Shkup “Ballkani i hapur”.

Në një konferencë për media gjatë një vizitë zyrtare në Shkup, Gërvalla ka thënë se nga nisma në fjalë  krijohet përshtypja sikur përçohet mesazhi sikur ka alternativë ndaj rrugës së përbashkët si rajon drejt Bashkimit Evropian.

“Si Republikë e Kosovës iniciativën e Novi Sadit në ndërkohë të Mini-shengenit, që nga dita e djeshme të Ballkanit të hapur e konsiderojmë të rrezikshme. Pse e konsiderojmë të rrezikshme, sepse krijohet përshtypja sikur përçohet mesazhi sikur kemi alternativë ndaj rrugës sonë të përbashkët si rajon drejt BE-së dhe përçimi i këtij mesazhi, ne konsiderojmë që është më i rrezikshëm sesa vonesat që mund të ndodhin në ndërkohë gjatë procesit tonë të integrimit”, tha ajo.

Kryediplomatja kosovare ka shtuar se rajoni tashmë ka nismën e tij i cili është Procesi i Berlinit.

“Ne kemi një proces të përbashkët rajonal ku jemi të gjitha vendet e rajonit, procesi quhet Procesi Berlinit, aty kemi disa vite që përpiqemi të shtyjmë përpara marrëveshjet të cilat prekin të gjithë qytetarët tanë”, shtoi ajo.

Në këtë iniciativë, siç thotë ministrja, Repulbika e Kosovës është partner i barabartë me pesë shtetet tjera të Ballkanit.

“…dhe ne konsiderojmë që hapja e iniciativave paralele të cilat në thelb nuk paraqesin diçka të re, është e rrezikshme për atë se si ne e shohim veten në rajon, por edhe si shihemi nga BE-ja. Është përshtypja ime që kjo iniciativë , shtrohet pyetja ndaj kujt vë në pikëpyetje edhe rreth përcaktimeve gjeostrategjike që ka rajoni ynë sepse në rajonin tonë jo të gjitha shtetet kanë të njëjtin përcaktim gjeostrategjik”, tha Gërvalla.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama kanë nënshkruar dje një paketë dokumentesh të memorandumit të mirëkuptimit për bashkëpunim rajonal.

Kjo është bërë në Forumin Ekonomik për bashkëpunim rajonal, që më herët ishte prezantuar si “Mini-Shengeni Ballkanik”.

Pas nënshkrimit të marrëveshjeve mes vendeve u zyrtarizuar emri i nismës i cili tashmë titullohet “Open Balkan” apo “Ballkani i hapur”.

Zaev, Rama e Vuçiq nënshkruajnë disa marrëveshje për bashkëpunim rajonal