Gërvalla: Nga mëngjesi jemi duke u përpjekur t'i sqarojmë rrethanat e aksidentit

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz, ka reaguar pas aksidentit që ka ndodhur sot në Kroaci, ku ishte i përfshirë një autobus nga Kosova.

“Tronditës lajmi për fatkeqësinë e komunikacionit me pasoja tragjike për shumë qytetarë të Kosovës. Shumë nga ta humbën jetën dhe shumë të tjerë u lënduan deri sa po ktheheshin në vendlindje që të vizitonin familjet e tyre dhe të gëzoheshin me ta”, ka shkruar ajo në Facebook.

Ajo ka shtuar se janë duke përpjekur që t’i sqarojnë rrethanat e aksidentit dhe janë duke ofruar ndihmë kudo që është e nevojshme.

“Në koordinim me Presidenten, Kryeministrin dhe kolegë ministra që nga orët e hershme të mëngjesit jemi duke u përpjekur të sqarojmë rrethanat dhe të ofrojmë ndihmën tonë, kudo që është e nevojshme. MPJ dhe institucionet tona të tjera do t’ju mbajnë vazhdimisht të informuar.  Lutemi për shpirtrat e të vdekurve dhe ndajmë këtë dhimbje të madhe me familjet dhe të dashurit e tyre, ndërsa të lënduarve ju urojmë shërim sa më të shpejtë”, ka shkruar më tej ministrja.

Dhjetë persona kanë mbetur të vdekur e mbi 40 të tjerë  të lënduar në aksidentin e një autobusi nga Kosova në Kroaci.

Aksidenti që ka ndodhur afër Sllavonski Brodit po udhëtonte nga Frankfurti drejt Prishtinës i mbushur me udhëtarë kosovarë që vinin drejt Kosovës për pushime.

Autoritetet kroate kanë njoftuar se 15 persona janë në gjendje të rëndë ndërsa katër janë operuar.

Dy vëllëzër suharekas nisen nga Zagrebi për të ndihmuar të aksidentuarit

www.kallxo.com

.