Gjykimi ndaj krerëve të UÇK-së
Gërvalla në mbledhjen e KS të OKB-së: Unë besoj se Thaçi dhe të tjerët janë të pafajshëm
Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ministrja e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës, Donika Gërvalla, tha se beson që ish-presidenti Hashim Thaçi dhe të tjerët, të cilët po gjykohen në Gjyktën Speciale janë të pafajshëm.
“Unë besoj fuqishëm se ai do të dëshmojë se ai vetë dhe të tjerët kanë çdo argument në anën e tyre se janë të pafajshëm”- tha ajo.
Deklarata e Gërvallës erdhi pasi Ivica Daçiq e akuzoi se ka mbledhur fakte nga familje të viktimave kundër Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, gjykimi i të cilëve ka nisur në Gjykatën Speciale.
“Para 10 vitesh unë kam nënshkruar marrëveshje me Hashim Thaçin. Ku është ai sot? Pse unë s’jam akuzuar apo presidenti Vuçiq pasi që jemi konsideruar përgjegjës për diçka? Ndërsa ju keni ndihmuar që të akuzohet Thaçi dhe Kadri Veseli për krime. Me dëshmitë që keni mbledhur nga familjarët e viktimave, ju kanë dalë në ndihmë viktimat e krimet të kryera nga ana e Thaçit dhe Veselit” – deklaroi ai.
Gërvalla tha se ushtria serbe ishte ushtria terroriste duke i përmendur djegiet e shtëpive dhe vrasjet e foshnjeve e grave.
“Për dallim nga Serbia ju folët për Gjykatën Speciale e cila është themeluar nga parlamenti i Kosovës dhe jo nga Serbia. Ka qenë një vendim i pavarur. Lidhur më këtë është më rëndësi të njohim veprat heroike të Kosovës që kanë shpëtuar jetë nga makineria Serbia, që keni qenë pjesë ju. Ishte pala juaj që dogji shtëpi, vrau burra, gra, foshnje dhe madje e festoi këtë. Ky gjenocid është festuar dhe ju keni qenë në mesin e tyre. Njeriu nuk mund të bjerë më poshtë se kaq. Populli i Kosovës mbronte shtëpitë e veta. Forcat serbe ishin forcat terroriste”- vazhdoi ajo.