Gërvalla në Këshillin e Sigurimit: Dick Marty nuk është mik i Kosovës, nuk ka qenë dhe nuk do të jetë kurrë

Kosova dhe Serbia kanë shkëmbyer akuza të shumta në mbledhjen që u mbajt në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara më 20 prill.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës, Donika Gërvalla, tha se Serbia është destabilizuese dhe cenuese e paqes në Ballkan.

Homologu i saj serb, Nikolla Sellakoviq, akuzoi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës për krime kundër serbëve, përfshirë edhe për trafikim organesh.

Gërvalla këtë e quajti pjesë të propagandës së Serbisë duke potencuar edhe deklarimin e  fundit të senatorit Zviceran Dick Marty se inteligjenca serbe tentoi ta vriste dhe t’i vinte fajin shqiptarëve.

“Nuk dua të merrem me secilën gënjeshtër këtu sepse ju që jeni të pranishëm e dini se çfarë ka ndodhur në vitet e ‘90-ta, nuk ka të vërteta alternative, është një dhe të gjithë e din atë për kasapin e Ballkanit, Sllobodan Millosheviq”, tha ajo.

Gërvalla tha se vrasjet nga shërbimi sekret serb kanë një traditë të gjatë dhe të rrezikshme.

“Meqenëse e përmendët trafikimin e organeve, më lër të flas për Dick Martyn, senatori zviceran që bëri raportin ku akuzoi Kosovën për krime lufte. I njëjti u ka thënë mediave para pak ditëve se policia zvicerane i ka ofruar sigurinë më të lartë sepse Inteligjenca serbe donte ta vriste dhe ta vinte fajin tek Kosova. Kjo është një traditë e gjatë dhe e rrezikshme”, ka thënë Gërvalla.

Ajo potencoi se senatori Marty nuk është mik i Kosovës dhe për të mund të ketë qenë e vështirë të dal të flas hapur për faktin që rrezikon të vritet nga shërbimi i inteligjencës serbe.

“Kjo është traditë gjatë e vrasjes së njerëzve jashtë vendit. Dick Marty nuk është mik i Kosovës, nuk ka qenë kurrë dhe nuk do jetë kurrë sepse ajo që ka thënë ai në raport, gjykata do e dëshmojë që nuk është e vërtetë. Për të ka qenë e vështirë të tregojë se Serbia dëshiron ta vrasë”, tha ajo.

Gërvalla foli edhe për procesin e dialogut, që sipas saj, nuk ka qenë i lehtë, po ashtu edhe për misionin e UNMIK-ut për të cilin deklaroi se nuk ka më rol në Kosovë.

Gërvalla në Këshillin e Sigurimit: UNMIK nuk luan më rol në vendin tonë