Foto: Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës
Gërvalla në Këshillin e Europës: Kosova ka plotësuar të gjitha kushtet për anëtarësim
Ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Donika Gërvalla- Schwarz, është takuar në Këshillin e Europës në Strasburg me Sekretarin e Përgjithshëm, Alain Berset.
Ministria e Jashtme ka njoftuar se gjatë takimit Gërvalla ka ripërsëritur se Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet për anëtarësim në këtë mekanizëm ndërkombëtar.
“Republika e Kosovës ka plotësuar të gjitha kushtet për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe presim me padurim të ecim përpara drejt anëtarësimit të plotë dhe qytetarët tanë të përfitojnë nga mekanizmat mbrojtës të Këshillit të Evropës”- ka thënë Gërvalla gjatë takimit me Berset, njofton MPJD.
Gjithashtu, në komunikatën e MPJD-së thuhet se Gërvalla dhe Berset diskutuan rreth forcimit të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Këshillit të Europës pas miratimit të raportit pozitiv nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës.
“Si një shtet me përparim të jashtëzakonshëm në sundim të ligjit, demokratizim dhe mbrojtje të të drejtave të njeriut, të konfirmuara edhe nga raportet më kredibile ndërkombëtare, Kosova është gati të përfitojë nga mekanizmat mbrojtës të kësaj organizate dhe të kontribuojë në forcimin e vlerave të demokracisë dhe të drejtave të njeriut në nivel europian”- ka thënë Gërvalla.
Në fund, sipas MPJD-së, Gërvalla dhe Berset shprehën gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin në fushën e të drejtave të njeriut, demokratizimit dhe qeverisjes së mirë, duke përforcuar rolin e Kosovës në skenën evropiane dhe ndërkombëtare.
Ndihmës Sekretari amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien tha të hënën më 21.10.2024, gjatë qëndrimit në Kosovë se pret nga Kosova që ta dërgojë projekt statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.
Më 16 maj 2024, ministrja Gërvalla kishte dërguar një letër në adresë të Presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, për siç ka thënë ajo, zotimin për përgatitjen e një drafti për “krijimin e një mekanizmi për vetmenaxhim”, ka ngritur pikëpyetje nëse ky veprim është hap i duhur apo i gabuar për anëtarësimin e Kosovës në KiE.
Mosdërgimi për interpretim në Gjykatën Kushtetuese i draftstatutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe të hartuar nga Bashkimi Europian e la Kosovën jashtë agjendës së mbledhjes së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës më 17.05.2024, pikërisht kur pritej që në këtë mbledhje do të finalizohej anëtarësimi i shtetit në këtë organizatë.
Kryeministri Albin Kurti kishte bërë të ditur më 08.05.2024 se Qeveria nuk e pranon Asociacionin si kusht për t’u bërë pjesë e Këshillit të Europës. Kjo kërkesë, sipas tij, nuk është parimore e as vlerore, por është absurde.
Sipas Kurtit, draft-statuti nuk është dokument zyrtar, sepse është refuzuar nga Serbia më 26.10.2023 dhe si të tillë nuk mund ta dërgojë në Kushtetuese.
Kosova ka arritur të sigurojë votat e mjaftueshme nga delegatët e shteteve anëtare të këtij mekanizmi ndërkombëtar më 16.04.2024, në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës.
Këta delegatë kanë miratuar raport-opinionin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, në të cilin rekomandohet që Kosova të ftohet për anëtarësim në KE.
Nga 171 delegatët që morën pjesë në votim, 131 votuan për, 29 kundër dhe 11 abstenuan.
Kosova ka aplikuar më 12.05.2022, për anëtarësim në Këshillin e Europës, me dorëzimin e aplikacionit nga zëvendëskryeministrja e Kosovës, Donika Gërvalla.