
Gërvalla në Istog: LDK-ja e Rugovës ka vdekur, shpirti i tij jeton në Partinë Guxo
Kryetarja e Partisë Guxo, Donika Gërvalla, gjatë tubimit në Istog më 16.01.2025 i ka ftuar votuesit tradicionalë të Lidhjes Demokratike të Kosovës ta votojnë partinë e saj në zgjedhjet që mbahen më 09.02.2025.
Sipas saj, qytetarët duhet t’u besojnë atyre që përfaqësojnë presidentin tashmë të ndjerë Ibrahim Rugova me dinjitet e jo atyre që, sipas saj, e përdorin atë si figurë marketingu.
Ajo ka thënë se “LDK-ja e Rugovës ka vdekur”.
“LDK-ja e Rugovës ka vdekur të nderuar zonja e zotërinj, por shpirti i tij jeton në Partinë GUXO. Kushdo që pyet nga vjen GUXO dhe çka na shtyn përpara mund ta shohë që Rugova është në GUXO jo më në lidhjen e re, rrugën e re, në qorrsokak. Unë i ftoj votuesit tradicionalë të LDK-së, nëse ende besoni në vizonin e presidentit Rugova, në një të djathtë të qëndrueshme që ndjek në radhë të parë interesin e Kosovës, derën e keni të hapur në Partinë Guxo. Besojuni atyre që përfaqësojnë Rugovën me dinjitet, jo atyre që e përdorin si figurë marketingu apo atyre që e luftuan, si Isa”- ka thënë ajo.
Ndërsa, kandidati i LVV-së, për kryeministër, Albin Kurti, ka thënë se në rrugëtimin e tyre katërvjeçar nuk e kanë harruar asnjëherë Istogun.
Sipas tij, në arsim i kanë ndarë 1.2 milion euro për dy shkolla në fshatrat e kësaj komune.
“Përveç arsimit, bujqësisë, ushtrisë, kemi investuar dhe po investojmë në Istog edhe në shëndetësi. Për Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Istog punimet kanë filluar”- ka thënë ai.
Kurti ka thënë se komunat e Kosovës kurrë nuk kanë pasur kaq shumë ngritje të buxhetit sesa në Qeverinë Kurti.
Fushata pёr zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht mё 11.01.2025.
Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025.
Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.
Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:
– të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;
– të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.
Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.