Ambasada e Kosovës në Kolumbi. Foto: Ministrja e Jashtme Donika Gërvalla në Facebook.
Gërvalla "ndihet e nderuar" që presidentja Osmani do ta inaugurojë ambasadën në Kolumbi
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla- Schwarz, ka thënë se ndihet krenare për hapjen e ambasadës së Kosovës në Bogota të Kolumbisë.
Ambasada atje pritet të hapet të martën më 26.11.2024, në inaugurimin e së cilës do të marr pjesë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
“Ndihem e gëzuar dhe krenare të njoftoj që puna dhe përgatitjet tona intensive kanë çuar sot në një rezultat historik: në Bogota, Kolumbi, Republika e Kosovës po hap ambasadën e saj në një tjetër vend të rëndësishëm në Amerikën Jugore”- ka shkruar Gërvalla në Facebook.
Ministrja ka thënë se hapja e ambasadës në Kolumbi shënon një moment të rëndësishëm, duke u shprehur e kënaqur që presidentja Osmani do të bëjë inaugurimin e saj.
“Ndihem shumë e nderuar që Presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani-Sadriu do të bëjë sonte inaugurimin e ambasadës”, ka shkruar ajo.
Hapja e ambasadës në Kolumbi, sipas saj, “shënon një moment të rëndësishëm në strategjinë tonë për të zgjeruar praninë globale dhe për të forcuar subjektivitetin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës”.
Në shtator 2024, zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi ishte pritur nga homologu i saj atjem Jorge Enrique Rojas që në fokus ishte diskutimi për hapjen e Ambasadës të Kosovës në Kolumbi
Në gusht të vitit 2008, Kolumbia ka njohur Pavarësinë e Kosovës, duke u bërë kështu vendi i dytë i Amerikës Jugore që kishte marr këtë vendim – pas Perusë.
Përveç këtyre dyjave, edhe Surinami dhe Gujana e kanë njohur Kosovën, duke e çuar në katër numrin e njohjeve nga shtetet jug-amerikane.
Osmani udhëton për në Kolumbi, do ta bëj edhe inaugurimin e ambasadës së Kosovës në Bogota