Donika Gervalla

Gërvalla: Me partnerët e rajonit do të bisedojmë për mundësinë e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, deklaroi sonte para darkës joformale në Bruksel me shefin për Politikë të Jashtme e Siguri, Josep Borrell, dhe me liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor se pret që me partnerët e rajonit të bisedojnë rreth mundësive për një integrim më të shpejtë të Ballkanit Perëndimor në strukturat e Bashkimit Evropian.

“Kemi ardhur sot nga Kosova në darkën e organizuar nga shefi i lartë i Politikës së Jashtme të BE-së z. Josep Borell. Në këtë darkë presim të bisedojmë shtruar gjerë e gjatë rreth mundësive për një integrim më të shpejtë të Ballkanit Perëndimor në strukturat e Bashkimit Evropian. Mendoj se kjo është ajo në vija të trasha për çka do të takohemi sonte”, tha ajo.

Ministrja foli edhe për dialogun që do të zhvillohet në Bruksek për targat në mes palës kosovare dhe serbe.

“Zëvendëskryeministri Bislimi do të vijë këtu pikërisht për të arritur një marrëveshje dhe jo  vetëm takime të shpeshta pa rezultate, prandaj ditën e premte do të vijë zëvendëskryeministri Bislimi dhe të shohim çfarë rezultati do të kemi. Delegacioni jonë është shumë i gatshëm për të sjellur rezultate në këtë pjesë të dialogut”. ka thënë Gërvalla/RTK/.