Gërvalla: Kjo Qeveri nuk do të shkelë Kushtetutën, as me kërkesën e miqve më të ngushtë

Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk do të shkelë kurrë Kushtetutën, edhe nëse kjo kërkohet nga miqtë më të ngushtë të Kosovës.

Duke komentuar kërkesën e shteteve të QUINT-it, që Qeveria ta lejojë mbajtjen e referendumit të Serbisë edhe në territorin e Kosovës, Gërvalla ka shkruar se pozicioni i Kosovës në lidhje me këtë, është i qartë.

“Ne u detyrohemi viktimave dhe heronjve të luftës sonë për pavarësi dhe sovranitet, si dhe qytetarëve tanë, që të mos lejojmë më kurrë shkeljen e sovranitetit tonë. Kjo qeveri nuk do të shkelë kurrë kushtetutën – as me kërkesën e miqve tanë më të ngushtë”, ka shkruar Gërvalla në Twitter.

Institucionet e Kosovës, Presidenca, Qeveria dhe Kuvendi, kanë dalë me deklaratë të përbashkët pas takimit me ambasadorët e QUINT-it dhe përfaqësuesin e BE-së, në lidhje me kërkesën për mbajtjen e referendumit të Serbisë në Kosovë këtë të diel.

Krerët e institucioneve të vendit kanë theksuar se qytetarët serb të Kosovës me dyshtetësi do ta kenë të drejtën të votojnë në përputhje me standardet dhe praktikat ndërkombëtare, pra nëpërmjet postës dhe në Zyrën ndërlidhëse.