Gërvalla: Kërcënimet për bllokim në pikat kufitare, dëshmi e veprimeve destabilizuese të Serbisë

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla ka folur për paralajmërimet për bllokim të vendkalimeve në Bërnjak, Jarinje, Merdare nga ana e Serbisë qendrore dhe vendkalimi Kullë në rrugën Pejë – Rozhajë nga ana e Malit të Zi, nga grupe të ndryshme të qytetarëve serbë.

Gërvalla ka thënë se kërcënimi për bllokimin e këtyre pikave janë “dëshmi e synimeve hegjemoniste.”

“Serbinë e shohim si një rrezik real për stabilitetin rajonal dhe kërcënimi për bllokimin sot të pikave kufitare janë dëshmi e synimeve hegjemoniste dhe veprimeve konkrete provokuese e destabilizuese të Serbisë që shkojnë përtej kërcënimeve verbale. Sovraniteti i Republikës së Kosovës nuk është i diskutueshëm”- u shpreh ajo.

Gëvalla këtë deklaratë e ka bërë pas takimit me homologun e saj turk, Hakan Fidan i cili ka qëndruar për vizitë në Kosovë më 06.09.2024.

Ajo u shpreh se miqësia me Turqinë është e bazuar në miqësi të gjatë ne aspektin ekonomik dhe se investimet turke kanë luajtur rol në zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Një protestë e cila është thirrur për sonte (06.09.2024) e që pritet të fillojë në orën 18:00 do të bëjë që disa nga pikat kufitare të bllokohen. Bllokimi thuhet se do të jetë nga pjesa e territorit të Serbisë.

Kjo protestë është thirrur tash e disa ditë përmes rrjetit social “Telegram.” Aty është bërë thirrje vazhdimisht për pjesëmarrje në këto protesta për të bllokuar pikat kufitare nga Serbia me Kosovën.

Në disa prej thirrjeve është bërë edhe kërkesa që protestuesit të pajisen edhe me veshje, ushqim dhe të mbajnë orare nga 12 orë në protesta.

Pikat kufitare me Kosovën që pritet të bllokohen pas thirrjeve për protesta nga një grup qytetarësh në Serbi