Gërvalla flet për njohjet dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporë, Donika Gërvalla-Schwarz, ka raportuar në Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë, lidhur me reformën dhe agjendën legjislative të kësaj ministrie.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, ka thënë se ka ngecje në njohje të reja dhe anëtarësimin direkt në organizata ndërkombëtare siç është UNESCO, Interpol e të tjera.

Ai ka kërkuar të di nëse ministrja ka paraparë të angazhojë përfaqësues special për këtë çështje.

Lidhur me këtë ministrja Gërvalla-Schwarz ka thënë se nuk është paraparë ndonjë instancë e re.

“Nëse e keni fjalën që të jetë një instancë e re, një digaster i ri, jo nuk kemi paraparë një gjë të tillë” – ka thënë ajo.

Tutje ministrja ka shtuar se sa i përket një strategjie për njohje, propozon që të takohet më Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë një herë tjetër dhe të diskutojnë shtruar.

Gërvalla-Schwarz ka konsideruar se tema e njohjeve është çështje e ndjeshme duke shtuar se “është një betejë nga ana tjetër për të penguar njohjet e reja”.

“Sa i përket strategjisë së njohjes unë ju propozova që takohemi gjatë këtij viti dhe ta bisedojmë shtruar dhe një pjesë ndoshta jo publike, sepse është temë shumë e ndjeshme çështje e njohjeve të reja duke e ditur që është një betejë nga ana tjetër për të penguar njohjet e reja dhe për të penguar marrëdhëniet me shtetet që kemi njohje, dy minuta rreth kësaj teme nuk besoj që shërben për informim” – ka thënë ajo.

Ndërsa, deputeti Haki Abazi ka kërkuar edhe informacione për hapjen e përfaqësive të reja diplomatike.

“Me 1 shkurt kam dërguar e-mail lidhur me hapjen e përfaqësisë tonë diplomatike në Pakistan. A është e përfshirë në buxhetin e vitit hapja e përfaqësive të reja” – ka thënë ai.

Gërvalla-Schwarz ka thënë se me buxhetin e vitit 2023 janë paraparë mjete për disa misione diplomatike.

“Për një numër misionesh të reja është paraparë buxhet, pa e cekur në buxhet për cilin mision. Gjatë këtyre ditëve kemi kërkuar nga kryeministri për hapjen e një misioni të ri, për shumë pak ditë do të jetë e qartë se cili është ai” – ka vazhduar ai.