Gërvalla e konfirmon takimin me Rrahman Ramën, nuk tregon se cili do të jetë roli i tij në vazhdim

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Donika Gërvalla, gjatë raportimit në Komisionin për Punë të Jashtme, e ka konfirmuar se është takuar gjatë ditës së sotme me Rrahman Ramën, i cili ka dhënë dorëheqje nga detyra e Komandantit të FSK-së.

Por, Gërvalla nuk e tregoi arsyen e takimit.

“Nuk është fer nga unë që të komunikojë se çfarë pune do të vazhdojë gjenerali. Është e vërtetë që jemi takuar sot por nuk është fer që unë të tregoj, pyetni atë”, tha Gervalla.

Gjatë ditës së sotme, Komandanti i FSK-së Rrahman Rama ka dhënë dorëheqje.

Në media është përfolur se Gjenerallejtnant Rrahman Rama mund të ketë një detyrë të re në Kroaci, pas dorëheqjes nga pozita e komandantit të FSK-së.

Ndërkaq, para emërimit të komandantit të ri të FSK-së, Presidentja e Republikës së Kosovës, mbështetur në dispozitat ligjore, ka dekretuar lirimin nga detyra të komandantit të deritanishëm të FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, pas paraqitjes së dorëheqjes nga ana e tij.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njëherësh komandante supreme e Forcave të Sigurisë së Kosovës, ka emëruar gjeneralmajor Bashkim Jasharin komandant të ri të Forcës së Sigurisë së Kosovës, në përputhje me kompetencat kushtetuese.

Gjenerallejtënant Rrahman Rama ishte emëruar komandant i FSK-së në mars të 2015 nga ish-presidentja Atifete Jahjaga.

Gjenerallejtënant Rama e kishte zëvendësuar në detyrë Gjenerallejtënant Kadri Kastratin.

Bashkim Jashari emërohet komandant i ri i FSK-së