Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Gërvalla: Asnjëherë nuk do të pushoj së kërkuari drejtësi për të gjitha viktimat në Kosovë

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla – Shwarz përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka shkruar se asnjëherë nuk do të pushoj se kërkuari drejtësi për të gjitha viktimat në Kosovë.

“Sot po dëgjoj si po bërtasin fort pikërisht ata që me heshtjen dhe me veprat e tyre e sollën Kosovën në këtë gjendje të turpshme. Vetëm me guxim dhe shumë punë do të mund t‘ia kthejmë Kosovës faqen e bardhë, jo me heshtje dhe mashtrim”, ka shkruar Gërvalla.

Tutje ajo ka thënë se do të respektojë vetëm vendimet të cilat vijën nga Kuvendi i Kosovës.

Ky është postimi i plotë i ministrës Gërvalla – Shwarz, të cilit i ka bashkëngjitur edhe flamurin kombëtar.

Dje, sot por edhe nesër!
Asnjeherë nuk do të pushoj së kërkuari drejtësi për të gjitha viktimat në Kosovë, pa marrë parasysh përkatësinë politike, gjininë, kombësinë apo funksionin e viktimave dhe autorëve të krimit.
Kjo është më e pakta që mund të bëjmë jo vetëm për viktimat, por edhe për gjeneratat që vijnë. Heshtja qyqare nuk e nderon asnjërin prej nesh.
Kuvendi i Republikës së Kosovës e ka thënë qartë fjalën e tij. Si ministre e qeverisë së zgjedhur me votën më të fuqishme qytetare i përulem çdo vendimi të Kuvendit.
Sot po dëgjoj si po bërtasin fort pikërisht ata që me heshtjen dhe me veprat e tyre e sollën Kosovën në këtë gjendje të turpshme. Vetëm me guxim dhe shumë punë do të mund t‘ia kthejmë Kosovës faqen e bardhë, jo me heshtje dhe mashtrim.
Shumë punë na presin, vërtet.