Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Gërvalla: 20 zyrtarë nga Ministria e Diasporës në MPJ nuk kanë përshkrim të punës

Donika Gërvalla në emisionin “Kallxo Pernime” ka treguar për vizionin e saj për strukturimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Ministrja Gërvalla ka thënë se janë dy departamente të cilat janë bartur nga Ministria e Diasporës e që nuk kanë asnjë përshkrim të punëve.

“Janë së paku dy departamente të cilët nuk kanë asnjë përshkrim të punës momentalisht, janë 15 deri 20 njerëz që janë në pritje të detyrave”, theksoi ajo.

Gërvalla ka thënë që fuzionimi i Ministrisë së Diasporës në Ministrinë e Punëve të Jashtme është pothuajse inekzistent, ani pse kjo kishte ndodhur para një viti, në Qeverinë Kurti 1.

“Aty atë fuzionim që e kam parë unë është inekzistent, nuk ka ende asnjë gërshetim, edhe pse shkrirja e këtyre dy ministrive ka ndodhur para një kohe më të gjatë”, tha Gërvalla.

Ministrja Gërvalla tha se organizimi i brendshëm i MPJD-së duhet të fillojë shumë shpejt.

“Nuk kemi më kohë të presim, pasi që punonjësit e Ministrisë së Diasporës nuk kanë asnjë detyrë, ata janë thjeshtë elektron i lirë i cili pret që t’iu jepen detyra të caktuara. Ju duhet të shkoni i shihni në çfarë ambiente punojnë, ata janë në një zyrë ku as dritë dielli nuk kanë”, shtoi ministrja.

Me qëllim të zvogëlimit të numrit të ministrive, Qeveria Kurti 1 kishte marrë vendim që ministria e Diasporës të ‘shkrihet’ në Ministrinë e Punëve të Jashtme e cila ishte udhëhequr nga Glauk Konjufca.