GERMIN: KQZ po telefonon diasporën me numra anonim

Organizata jo-qeveritare GERMIN ka reaguar pas fillimit të verifikimit të aplikuesve jashtë Kosovës me telefonata nga ana e KQZ-së.

Sipas reagimit GERMIN-i ka thënë se KQZ po telefonon aplikuesit jashtë Kosovës me numra anonim.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar verifikimin përmes telefonit të aplikuesve për regjistrim për votim nga jashtë vendit me telefonata që paraqiten ‘ANONIME’ në telefonat e aplikuesve. Këtë gjë na e konfirmojnë raportimet e bashkatdhetarëve tanë, siç mund të shihet në fotot e mëposhtme”, thuhet në reagimin e GERMIN-it.

GERMIN e ka quajtur skandaloze një veprim të tillë.

“Sikur të mos mjaftonte vendimi i padrejtë e kundër kushtetues i KQZ-së, zbatimi i tij është skandaloz. Kërkojmë nga KQZ ta ndaloj menjëherë këtë proces që cënon seriozisht të drejtën e votës për pjesëtarët e diasporës”, thuhet në fund të reagimit.

KALLXO.com ka kërkuar një sqarim edhe nga ana e KQZ-së për këtë çështje.

Deri në publikim të lajmit të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

KALLXO.com ditë më parë raportoi se organizata Germin’ ka krijuar një peticion online për të kundërshtuar vendimin e KQZ-së për procedurat e aplikimit të votuesve jashtë vendit.

Në këtë peticion online thuhet se vendimi i KQZ-së është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë.

Në peticion po ashtu thuhet se qytetarët jashtë Kosovës për shkaqe teknike mund të mos jenë të qasshëm në telefon dhe mund të mbesin rrjedhimisht pa votuar.