‘Germin’ e konsideron antikushtetues vendimin e KQZ-së, ankohet në PZAP

Organizata ‘Germin’ ka dorëzuar në PZAP ankesën ndaj vendimit të KQZ-së sipas të cilit është paralajmëruar se votuesit jashtë vendit të cilët aplikojnë për votim, do të telefonohen nga KQZ-ja dhe nëse nuk lajmërohen do të humbin të drejtën e votës.

Lirim Krasniqi, bashkë-drejtor ekzekutiv i kësaj organizate në një konferencë për media ka thënë se KQZ-ja me vendimin e djeshëm ka shkelur të drejtat kushtetuese duke u shprehur i bindur se PZAP do ta hedhë poshtë këtë vendim.

“Ekzistojnë elemente të tejkalimit të kompetencave të KQZ-së në proporcion ose në krahasim me ligjet dhe legjislacionin në fuqi për zgjedhjet të Republikën e Kosovës. Ne besojmë dhe kemi dhënë argumente të mjaftueshme në ankesën që e kemi dhënë sot në PZAP ka elemente të mjaftueshme për ta hedhur poshtë për shkak se KQZ-ja e ka marr një vendim që cenon të drejtat kushtetuese dhe nuk ka dhënë sqarime shtesë për masën për propocionalitetin e këtyre masave karshi  normave të tjera ligjore” , tha Krasniqi.

Tutje Krasniqi ka theksuar se legjistlacioni në Kosovë ofron mundësi për verifikimin e votuesve nga diaspora.

“Ne besojmë që legjislacioni aktual ofron mundësi të mjaftueshëm për verifikimin e aplikuesve për regjistrim për shkak që edhe sipas Ligjit për Zgjedhjet edhe sipas rregullores. Të gjithë ata që aplikojnë bashkë me aplikimin bashkëngjisin edhe dokumentet e tyre të identifikimit dhe e nënshkruajnë aplikacionin”, tha Krasniqi.

Sipas tij ‘telefonata nuk është masë proporcionale për shkak se aplikuesit nuk mund ta dinë kur e pranojnë telefonatën e KQZ-së”.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dje ka marrë vendim që votuesit jashtë Kosovës duhet të regjistrohen për votim përmes emailit.

Sipas vendimit të KQZ-së prej një email adrese, aplikuesi mund të aplikojë për vete dhe për rrethin e ngushtë familjar, që kanë të njëjtin mbiemër.

Ndërsa në formularët e aplikimit për regjistrim, aplikuesi duhet të shënojë vetëm numrin e tij të telefonit dhe jo të ndonjë familjari.

Tutje KQZ-ja do të verifikojë procesin e aplikimit për regjistrim, duke i kontaktuar të gjithë aplikuesit përmes telefonit dhe nëse aplikuesi nuk lajmërohet në telefon atëherë aplikacioni i tij do të refuzohet.

Ndaj këtij vendimi ka reaguar ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, e cila ka kërkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ta shqyrtojë vendimin e sotëm sipas të cilit është paralajmëruar se votuesit jashtë vendit të cilët aplikojnë për votim, do të telefonohen nga KQZ-ja dhe nëse nuk lajmërohen do të humbin të drejtën e votës.

Edhe Lëvizja Vetëvendosje sot ka dorëzuar një ankesë në PZAP ndaj këtij vendimi, ani pse përqafuesit e kësaj partie në KQZ dje kishin votuar pro.

 

Votat e Diasporës, Vetëvendosje me ankesë në PZAP