Gërmimet në Mitrovicën e Veriut

Gërmime në veri, dyshohet për mbetje mortore

Sot në Mitrovicën Veriore kanë rinisur gërmimet e ndërprera para dy viteve në varrezat myslimane, për gjetjen e mbetjeve të viktimave të luftës së fundit.

Gërmimet janë kryer nga Instituti i Mjekësisë Ligjore , në zbatim të urdhëresës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ndërsa të pranishëm ishin edhe anëtarë të Komisionit Qeveritar të Serbisë, si dhe familjarë.

Kushtrim Gara, Shef i Zyrës së Komisionit Për Persona të Pagjetur ka thënë për Kallxo.com se në lokacionin ku janë bërë gërmimet sot në Mitrovicën Veriore dyshohet se gjenden një numër i viktimave të luftës.

” Sot është gërmuar në Mitrovicë të veriut është një lokacion që është shënuar nga ana e institucioneve kompetente, ndërsa gërmimet që janë zhvilluar sot, nuk është hasur në mbetje mortore të personit apo viktimave që është kërkuar, por është hasur në disa mbetje mortore që janë jashtë interesit të forenzikës do të thotë nuk janë tërhequr…por sot janë ndërprerë punimet dhe do të vazhdohet pasi të ndiqen disa procedura me saktësisht pasi të zhvillohen disa konsulta të nevojshme..në bazë të bashkëpunimit të përbashkët supozohet se në këtë lokacion gjenden një numër i viktimave të luftës që vazhdojnë të jenë në këtë lokacion “, tha Gara.

Gara ka shtuar se duhet të bëhet presion nga bashkësia ndërkombëtare ndaj Serbisë për bashkëpunim në këtë operacion.

” Duhet një presion me i madh i bashkësisë ndërkombëtare ndaj institucioneve të Serbisë, duhet me qenë më bashkëpunues meqë në këto raste dhe lokacione dhënia e informatave të pasakta, skicat dhe detajet e nevojshme mundësia për të gabuar është me e madhe sepse po bëhet fjalë për hapësirë të varrezave dhe ku të gërmosh ke me hasë në eshtra “, theksoi Gara.

Ndërsa Bajram Qerkini, Kryetar i shoqatës ” Zëri prindërve “, po ashtu udhëheqës i Qendrës Burimore për Personat e Zhdukur ka thënë se nëse këto gërmime vazhdojnë në këtë mënyrë, atëherë ato do të zgjasë edhe 20 vite.

Qerkini ka sqaruar se sot është kërkuar një person, ndërsa dyshohet se në këtë lokacion ndodhen se paku 12 persona.

“Në këtë varrezë sot është kërkuar vetëm një person, kurse në bazë të dokumentacionit që kam, këtu duhet ta jenë  se paku 12 persona “, theksoi Qerkini.