Gërdeci, për Mediun, Gjykata e Posaçme do vendosë më 27 korrik

Në Shqipëri, Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar pritet të shqyrtojë më 27 korrik, kërkesën e Proskurosisë së Posaçme (SPAK), për rihapjen e procesit gjyqësor ndaj ish Ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, lidhur me shpërthimin e ndodhur 13 vite me parë në një depo ushtarake në Gërdec

Fillimisht SPAK-u ju drejtua Gjykatës së Lartë, duke qenë se në vitin 2009, kishte qenë kjo gjykatë e cila kishte pushuar vijimin e procesit gjyqësor, për shkak të imunitetit parlamentar, që zoti Mediu kishte rifituar në zgjedhjet e atij viti.

Kërkesës së SPAK-ut, për revokimin e vendimit të 2009-ës, Gjykata e Lartë ju përgjigj duke argumentuar se me ndryshimet kushtetuese dhe ligjore që kanë ndodhur, i takon Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të vendosë.

Ndaj zotit Mediu, Prokuroria e Përgjithshme, një vit pas shpërthimit, në mars të 2009-ës, ngriti dy akuza për “Shpërdorim të detyrës” kryer në bashkëpunim. Por ai nuk u gjykua kurrë për ngjarjen e rëndë, madje ai nuk u thirr as dëshmitar, ndërsa një proces gjyqësor për këtë rast përfshiu një numër të madh personash.

Për këtë arsye, SPAK kërkon që ndaj tij të rihapet gjykimi. Prokuroria e posaçme u vu në lëvizje, pas kërkesës së prindërve të 7 vjeçarit Erison Durdaj, një prej viktimave të tragjedisë.

Nga shpërthimi i fuqishëm humbën jetën 26 persona, ndërsa mbi 250 të tjerë u plagosën/VOA/