Gent Cakaj takon Vasfije Krasniqin

Ministri i Jashtëm shqiptar në detyrë, Gent Cakaj ka takuar gjatë ditës së sotme të mbijetuarën e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, Vasfije Krasniqi- Goodman, si dhe drejtorin e organizatës joqeveritare “Drejtësi për të Gjithë”, Nafi Krasniqi.

Cakaj ka bërë të ditur se në këtë takim është njoftuar me angazhimin e tyre për zbardhjen e krimeve të luftës në Kosovës dhe promovimin e vlerave dhe lirive themelore në përgjithësi.

“Pajtohem plotësisht me pikëpamjen e tyre Serbia ka dështuar në adresimin e krimeve të luftës, spastrimit etnik dhe gjenocidit në mënyrë të qëllimshme dhe për arsye politike. Vendosja e drejtësisë së plotë dhe procesi i pajtimit të qëndrueshëm përbëjnë interes jetik për rajonin në tërësi”, ka shkruar Cakaj.

Ai ka shkruar se është i frymëzuar nga kurajo e tyre për të rrëfyer të vërtetën pavarësisht pasojave dhe për të punuar përmbajtësish në shërbim të drejtësisë si faktor thelbësor i pajtimit.

“Ndaj, do ta mbështesë këtë kauzë në vazhdimësi dhe në mënyrë sistematike, sikundër Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë pakursyer Republikën e Kosovës në arenën ndërkombëtare”, ka shkruar Cakaj.