Foto: Gent Cakaj/Facebook

Gent Cakaj nuk i bën publike faturat e shpenzimeve

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Gent Cakaj, nuk i ka bërë publike faturat e shpenzimeve të tij si ministër.

Cakaj që është një nga dy ministrat kosovarë në Shqipëri nuk i është përgjigjur kërkesës së mediumit Faktoje.al, për të pasur qasje në shpenzimet e buxhetit publik nga ministri.

Në anën tjetër, transparencë ndaj këtij mediumi ka treguar kosovarja tjetër në qeverinë e Shqipërisë,  Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini.

Faktoje.al është një medium që merret në përgjithësi me vërtetimin e fakteve dhe është i certifikuar nga Rrjeti Ndërkombëtar i Vërtetuesve të Fakteve.

E ftuar në emisionin “Jeta në Kosovë”, Klodiana Kapo, që e udhëheq këtë medium tregoi për sfidat që i kanë lidhur me transparencën e institucioneve sa i përket shpenzimeve publike.

Kapo tregoi se nga të gjithë kërkesat që i kanë bërë në ministritë e Shqipërisë në lidhje me shpenzimet e ministrave përgjigje kanë marrë nga dy ministri.

“Ne kërkuam transparencë sa i përket shpenzimeve publike të gjithë ministrave. Vetëm dy institucione kthyen përgjigje: Ministria e Drejtësisë(Etilda Gjonaj) dhe Ministria e Arsimit. [Gent Cakaj]nuk ka i ka sjellë akoma”, tha ajo.

Sipas drejtoreshës së Faktoje.al, ata përballen me presione të tërthorta në punën e tyre dhe me mungesë të transparencës.

Deklaratën e plotë të Klediana Kapos mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm:

Kujtojmë se mediumi i vetëm në Kosovë që gjithashtu është i certifikuar nga Rrjeti Ndërkombëtar i Vërtetuesve të Fakteve (IFCN) është KRYPOMETRI si produkt i KALLXO.com.

KALLXO.com gjithashtu ka fituar betejën ligjore me Zyrën e Kryeministrit duke arritur të sigurojë dhe të bëjë publike faturat e shumë prej figurave të larta udhëheqëse.

Shkrimet lidhur me këto shpenzime gjenden në këtë link.