Foto: Gent Cakaj/Facebook

Gent Cakaj: Kush i ka sytë në ballë nuk beson që qeveria e Shqipërisë bën plane për ndarje të Kosovës

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj në një konferencë për media në Prishtinë, deklaroi se pas vizitës nga Uashingtoni e ka të qartë se nuk ka marrëveshje sekrete me Serbinë dhe ndarje të Kosovës.

Cakaj tha se vizita në Uashington ka qenë e planifikuar shumë më herët nuk ndërlidhet drejtpërdrejt me çështjen e Kosovës.

“Nga atje kam vetëm tre mesazhe. E para, nuk ka marrëveshje sekrete, dhe për konsum të brendshëm politik nuk ka nevojë të abuzohet për një temë të interesit nacional. E dyta, nuk ka ndarje të Kosovës, dhe kush i ka sytë në ballë dhe mend të kokë nuk beson që as Qeveria e Shqipërisë, e askush në Kosovë nuk bën plane në llogari personale për ta ndarë Kosovën, pikë. E treta, nuk ka nxitim për një marrëveshje të shpejtë, në dëm të Kosovës për çfarëdo interesi elektoral në Amerikë, për shkak se duhet të kuptojmë pozicionin që e kemi në agjendat ndërkombëtare por duhet ta kemi parasysh që koordinimi me ShBA-të është jetik për të bërë më të mirë për Kosovën. Unë nuk dua të bëjë politikë të brendshme në Kosovë, por këto nuk janë vetëm mesazhe të mia por janë edhe qëndrimet përfaqësuesi i Trump i ka komunikuar në vazhdimësi. Çdo përpjekje tjetër për ta lakuar të vërteten janë për përfitime afatshkurtër politike në interesat afatgjate shtetërore”, u shpreh ai në konferencën për media në Aeroportin e Prishtinës.

Gent Cakaj bashkë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama kanë qëndruar dy ditë në Prishtinë.