Foto: REL/Reuters

Genc Lami: Para dy muajsh i bëra ofertë Qeverisë për të sjellë vaksina, më refuzuan

Distributori për rajon i vaksinës AstraZeneca, Genc Lami, ka thënë se në muajin janar i ka ofruar Qeverisë vaksinën AstraZeneca por, sipas tij, zyrtarët janë treguar të papërgjegjshëm.

Lami në emisionin “Kallxo Pernime”, ku po diskutohet për lobimin për vaksina, tha se më vonë nga ministria i është thënë se Kosova i ka siguruar vaksinat përmes iniciativës COVAX.

“Për punën e vaksinës qysh para dy muajsh unë i kam ofruar Ministrisë së Shëndetësisë vaksinën AstraZeneca dhe sipas vlerësimit tim ata kanë qenë shumë të papërgjegjshëm. Kam pasur takim me dy këshilltarë të ministrit, ku pas takimit më thanë se do diskutojnë me ministrin për ndonjë vendim”, tha ai.

“Nuk kam marrë asnjë lajm dhe pas një kohe i kontaktova prapë dhe më kanë thënë se Qeveria e Kosovës i ka siguruar vaksinat sipas iniciativës COVAX që prapë mendoj se nuk e kanë kuptuar si duhet, pasi ata mund ta ofrojnë atë falas por, ndahet proporcionalisht në bazë të popullatës së rajonit, e për fat të keq Kosova ka popullsi më të vogël se shumë vende të rajonit. Unë kam biseduar në fillim të muajit janar, para dy muajsh, me një person të quajtur Flamur Beqiri, ndoshta jam gabim dhe një mjek aty në Ministri, Diellor është quajtur nëse nuk gaboj, kurse mbiemrin nuk e mbaj mend”, shtoi tutje Lami.

Lami theksoi se nëse Qeveria do pranonte ofertën e tij, vaksinat do arrinin në Kosovë brenda katër javësh.

Ai shtoi se janë dy kritere që duhet të plotësohen, porosia të jetë minimum 500 mijë doza dhe çmimi aktual që është 18.5 dollarë.

“Ky është një parim i kompanive farmaceutike, se ato direkt nuk shesin vaksina. AstraZeneca i ka dy distributor të autorizuar në të gjithë botën, ne jemi njëri prej tyre. Unë operoj prej kompanisë ‘Blue Gastro Solting’ dhe oferta është që nëse Qeveria e Kosovës pajtohet me kushtet të cilat janë publike, vaksinat arrijnë në Kosovë brenda katër javësh. Janë dy kritere: Porosia të jetë minimum 500 mijë doza dhe çmimi aktual është 18.5 dollarë. Arsyeja pse disa shtete e kanë blerë më lirë, është se ato kanë investuar në këto kompani derisa kanë qenë duke bërë hulumtimin për këto vaksina, kurse Kosova jo” ka theksuar tutje Lami.

Genc Lami tha se oferta është valide në momentin që Qeveria e Kosovës vendos dhe ai siguron se vaksinat do vijnë sipas kohës që është përmendur më lart.

Për momentin sipas tij në stok i kanë 60 milionë vaksina AstraZeneca të gatshme për eksport.