Gazmend Muhaxheri viziton pikën kufitare në Kullë

Kreu i Komunës se Pejës, Gazmend Muhaxheri ka vizituar ekipin kujdestar në pikën kufitare me Malin e Zi në Kullë.

Vizita është bërë me qëllim informimi për zhvillimet dhe lëvizjet e qytetarëve në këtë pikë kufitare.

Sipas komunikatës se Komunës Pejës, bazuar në deklarimet e policëve kufitar dhe mjekëve në detyrë, situata është e qetë dhe nën kontroll.

Komuna e Pejës ka marrë masa për identifikimin e personave të ardhur në këtë komunë nga shtetet e tjera qe janë prekur me virusin corona.

“Komuna e Pejës bën thirrje kryetarëve të bashkësive lokale në fshatrat e komunës tonë që të bëjnë evidentimin dhe kontaktimin e personave të mundshëm të ardhur ditëve të fundit nga shtete të Bashkimit Evropian dhe shtete tjera te prekura nga Covid-19 dhe ti lajmërojnë në Qendrat më tê afërta shëndetësore për të kryer procedurat e verifikimit dhe regjistrimit me qëllim parandalimin e shpërndarjes së mundshme të këtij virusi”, thuhet në njoftimin e kësaj komune.

Deri më tani në qytetin e Pejës nuk ka ndonjë rast të dyshuar me virusin COVID-19.

Deri më tani në Kosovë janë identifikuar 16 persona të prekur me virusin COVID-19. Qytetet si Vitia, Malisheva, Podujeva dhe Klina janë në karantinë pasi në këto qytete u identifikuan disa të prekur me virus.

Ndërkaq, tre persona të prekur me coronavirus janë identifikuar në Aeroportin e Prishtinës pasi erdhën nga Londra.

Qeveria e Kosovës ditë më parë ka shpallur gjendjen emergjente pas situatës me rrezikun e shpërndarjes së këtij virusi.

Momentalisht në botë numërohen mbi 180 mijë të infektuar me këtë virus, dhe mbi 7 mijë kanë vdekur.

Vendet më të prekura në botë nga virusi janë Kina dhe Italia.