Gazmend Muhaxheri. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Gazmend Muhaxheri: Në seancën e radhës votohet Ligji për rimëkëmbje ekonomike

Kryetari i Komunës së Pejës nga radhët e LDK-së, Gazmend Muhaxheri, ka thënë se në seancën e radhës të Kuvendit të Kosovës ka informacion se do të votohet Ligji për rimëkëmbjen ekonomike.

Në TV Dukagjini ai tha se e vetmja alternativë është votimi i këtij Ligji.

“Është problematikë e këtij koalicioni. E vetmja alternativë e vendit është të kalohet Ligji për rimëkëmbie ekonomike, e mandej me e pa se çka mundet me u bo. Unë besoj që kryeministri ka vullnet që të ulet me opozitën për harmonizimin për këtë Ligj. Në seancën e radhës, kur të mbledhet, qeveria do t’i ketë votat për me e kalu Ligjin, kishte qenë mirë me e kalu edhe buxhetin”, ka thënë Muhaxheri.

Sipas tij, situata në vend është e komplikuar, sidomos me çështjen e presidentit e me COVID-19, e që sipas tij, krijon problem për shkuarjen e vendit në zgjedhje.

“Besoj që partitë politike duhet të mbledhen e ta diskutojnë këtë punë, për zgjerimin e Qeverisë, nëse ka vullnet, për me e zgjedh presidentin e mos me shku në zgjedhje. Vendit duhet me ia siguru një qeveri stabile, duhet me e diskutu këtë punë. Mendoj që vendi duhet me e pasë një qeveri më të gjerë”, tha Muhaxheri.