Gazmend Muhaxheri i fal personat që e sulmuan fizikisht

Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka vendosur t’i falë personat që e sulmuan atë fizikisht.

Këtë vendim, kryetari Muhaxheri e ka marrë pas një takimi dhe kërkese nga familjarët e të dyshuarve.

Takimi mes Muhaxherit dhe familjarëve të sulmuesve të dyshuar është lehtësuar nga deputeti i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti dhe nga Vehbi Shala.

Gazmend Muhaxheri ishte cak i një sulmi fizik.

“Me kërkesen e familjarëve të sulmuesve dhe me ndërmjetesimin e miqve z. Xhavit Haliti dhe z.Vehbi Shala, sot pas një takimi të kërkuar nga familjarët e sulmuesve, Kryetari i Pejës, z. Gazmend Muhaxheri ka vendosur që t’i fal sulmuesit për sulmin ndaj tij”- thuhet në njoftimin e avokatit të Muhaxherit, Gazmend Kerveshi.

Tutje në njoftim bëhet e ditur se kryetari i Pejës nuk do t’i ndjekë sulmuesit as penalisht në procedurë penale dhe se heq dorë nga kërkesat eventuale pasurore ndaj tyre në procedurë gjyqësore.

“Muhaxheri ka vendosur që t’i falë sulmuesit për sulmin ndaj tij. Drejtësia të bëjë punën e saj, por kryetari Gazmend Muhaxheri nuk do t’i ndjekë të njëjtit penalisht në procedurë penale dhe se heq dorë nga kërkesat eventuale pasurore ndaj tyre në procedurë gjyqesore. Duke respektuar miqt që kanë fasilituar komunikimin, kryetari Muhaxheri ka vendosur si më lartë. Andaj, me autorizimin e kryetarit Muhaxheri njoftojmë gjitha palet e interesuara se z Muhaxheri i ka falur të njëjtit”- thuhet në njoftimin  e lëshuar të dielën, më 10.11.2024.

Gjykata e Pejës më 28.10.2024 ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj dy të dyshuarve për rastin e sulmit ndaj kryetarit të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri.

Sipas zëdhënësit të Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi, dy të pandehurit dyshohen për veprat penale – sulm ndaj personit zyrtar, dhe – lëndim i lehtë trupor.

Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, është sulmuar mëngjesin e datës 26.10.2024 në rrugën “Bill Klinton” në Pejë.

Avokati i të parit të Pejës, Dukagjin Kerveshi, kishte thënë që Muhaxheri është sulmuar nga dy persona derisa ishte duke u larguar nga një lokal në vendin e njohur si “Qendra Zejtare” pasi kishte pirë kafe me një familjar të tij.

Kerveshi e kishte përshkruar sulmin si të befasishëm.