Gazmend Muhaxheri i bashkohet listës së LDK-së si kandidat për deputet të Kuvendit të Kosovës
Kryetari aktual i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, do të jetë pjesë e listës së Lidhjes Demokratike të Kosovës si kandidat për deputet të Kuvendit të Kosovës.
Kështu ka bërë të ditur kreu i LDK-së dhe kandidati për kryeministër nga radhët e kësaj partie, Lumir Abdixhiku.
“Për ndryshimin e madh, do t’i mbledhim dhe më të mirët tanë! Prandaj, Kryetari aktual i Pejës, Gazmend Muhaxheri do të jetë pjesë e listës për deputet në zgjedhjet e 9 shkurtit”- ka shkruar Abdixhiku në Facebook më 09.11.2024.
Ai gjithashtu ka theksuar se pjesë e listës do të jenë edhe kandidatët: Kujtim Shala, Fatmir Asllani, Xhenet Syka, Albulena Mujaj-Bajraktari, Sadri Berisha, Rexhep Kurbogaj dhe Besa Gaxherri.
“Me të tillë kandidatë, e të tjerë nëpër Kosovë, do t’i japim vendit listën më të fuqishme që ka patur ndonjëherë”- ka shtuar Abdixhiku.
Ditë më parë, kryetari i LDK-së ka prezantuar kandidatët e Prishtinës për deputetë të Kuvendit të Kosovës.
Më 07.11.2024, para simpatizantëve të kësaj partie në Prishtinë, Abdixhiku tha se LDK-ja është ngritur në këmbë dhe nuk ka asgjë që e ndalë.
“‘Rruga e Re’ ka 120 projekte, 5 miliardë euro buxhet, ka 5 miliardë euro investime, ka 5% rritje ekonomike”- ishin disa nga premtimet e Abdixhikut.
Abdixhiku ka prezantuar kandidatët për deputetë nga Prishtina, të cilët janë: Alban Zogaj, Berat Rukiqi, Besian Mustafa, Doarsa Kica – Xhelili, Doruntinë Maloku, Ema Nikçi, Fadil Aliu, Florian Dushi, Donjeta Dragusha, Hykmete Bajrami, Ismet Beqiri, Izet Sadiku, Jehona Lushaku-Sadriu, Jeta Rafuna, Krenar Xhaferi, Fiknete Bejta, Sibel Halimi, Sokol Havolli, Vlora Dumoshi, Arben Gashi dhe Lumir Abdixhiku.
Abdixhiku prezanton kandidatët e Prishtinës për deputetë të Kuvendit të Kosovës
Zgjedhjet parlamentare në Kosovë do të mbahen më 09.02.2025.