Foto nga pranim-dorëzimi i detyrës së drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës. FOTO: Policia e Kosovës, Facebook.

Gazmend Hoxha merr zyrtarisht detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës

Sot në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës, u organizua ceremonia zyrtare e dorëzim-pranimit të detyrës për Drejtorin e ri të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës.

Kolonel Gazmend Hoxha nga sot ka pranuar detyrën e drejtorit të ri të Policisë së Kosovës.

Drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha pas pranimit të detyrës potencoi se drejtimi dhe menaxhimi i organizatës më të madhe ligjvënëse në vend bëhet përmes bashkëpunimit dhe shkëmbimit të eksperiencave brenda organizatës me punë ekipore si dhe bashkëpunimit dhe krijimit të partneritetit me institucionet e jashtme vendore e ndërkombëtare, e në veçanti me qytetarët.

Foto nga pranim-dorëzimi i detyrës së drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës. FOTO: Policia e Kosovës, Facebook.
Foto nga pranim-dorëzimi i detyrës së drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës. FOTO: Policia e Kosovës, Facebook.

Përvojën e tij të punës në Policinë e Kosovës, Hoxha e filloi në prill të viti 2000, e pozita në atë kohë që ai e ushtronte ishte oficer policie në stacion policor jugu në Prishtinë.

Që nga viti 2000 e deri më sot, Hoxha ka kaluar në pothuajse të gjitha gradat dhe pozitat policore, përveç asaj të drejtorit të përgjithshëm dhe të zëvendësdrejtorit.

Vendimi për emërimin Gazmend Hoxhës si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës është marrë me 8 mars në mbledhje të Qeverisë.

Në fund të shkurtit janë bërë gjashtë muaj prej kur institucioni i sigurisë në vend, Policia e Kosovës, nuk ka drejtor.

Ky institucion që nga 30 gushti i 2022-ës po udhëhiqej nga ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Policisë, Fehmi Hoti, i cili deri në ditën e dorëheqjes së ish-drejtorit Samedin Mehmeti mbante pozitën e zëvendësdrejtorit.

Ndërsa, dorëheqja e Mehmetit kishte ardhur për arsye personale dhe ndërgjegje profesionale, për rastin ku dyshohet se ishte dhunuar një 11-vjeçare në Prishtinë.

Ndërkaq, në njoftimin e sotëm të Policisë së Kosovës është bërë e ditur se të pranishëm në ceremoni të pranim-dorëzimit të detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm i Policisë së Kosovës ishin stafi i lartë menaxhues si dhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të Përgjithshëm Kolonel Fehmi Hoti, i cili ia dorëzoi zyrtarisht detyrën Gazmend Hoxhës, duke i uruar shumë suksese në detyrën e drejtorit të Përgjithshëm, si dhe duke i ofruar përkrahje dhe bashkëpunim të ndërsjellë.