Gazmend Abrashi djathtas) me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj

Gazmend Abrashi reagon për vendimin e qeverisë Kurti që e preku biznesin e tij

Gazmend Abrashi, këshilltar i ish-kryeministrit Ramush Haradinaj dhe nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për vendimin për heqjen e tarifës ndaj mallrave që importohen nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina si dhe vendimin e sotëm të qeverisë për normën e akcizës për cigaret që prodhohen në Kosovë

Abrashi, i cili është pronar i një fabrike të privatizuar që prodhon cigare, tha se qeveria duhet të bëjë analiza më të qëndrueshme në mënyrë që këto vendime mos t’i shkaktojnë dëme ekonomisë së vendit.

“Hiqen tarifat për produktet e Sërbisë e ngritim akciza për prodhim vendor. Qeveria e Kosovës duhet të bëjë analiza më të qëndrueshme kur vepron nē politika fiskale për tē mos shkaktuar dëme ekonomisë së vendit”, thuhet në reagimin e Abrashit në Facebook.

Ai tutje thotë se fabrika e duhanit të Gjilan, i ka punësuar së paku 100 persona dhe ka rritur taksat për shtetin.

“Fabrika pas 18 viteve ka filluar prodhimin, me potencial për punësimin e së paku 100 puntorëve në prodhim. Një produkt vendor ka filluar të hyj në treg, shteti ka fituar një tatimpagues të ri, më i madhi në komunën e Gjilanit”, ka shkruar tutje ish këshilltari i Haradinajt.

Sipas tij, fillimi i prodhimit në fabrikën e duhanit në Gjilan i ka aktivizuar fermerët që të kultivojnë duhanin në rrethinën e Anamoravës dhe Gjakovës.

Qeveria Haradinaj, në tetor të vitit 2018 kishte vendosur një pikë që e rregullonte përllogaritjen e normës së akcizës për cigaret e prodhuara në Kosovë, ndërsa sot ministri i financave, Besnik Bislimi, propozoi që këto vendime të anulohen.

Drejtori i Shpend Ahmetit aksionar në biznesin e duhanit

Ky vendim prek dy njerëz që merren me politikë, njërin të AAK-së e tjetrin të PSD-së.

Ish këshilltarin e kryeministrit Ramush Haradinajt, Gazmend Abrashin dhe drejtorin e Komunës së Prishtinës, Genc Bashotën që udhëheq me Drejtorinë e Planifikimit Strategjik dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm.

Abrashi dhe Bashota janë 2 nga 3 aksionarët e kompanisë “Premium Tobacco Group sh.p.k”, fabrikës se vetme në Kosovë që merret me prodhimin e cigareve.

Kjo është edhe e vetmja kompani në Kosovë që merret me prodhimin e duhanit.

Abrashi dhe Bashota tani janë aksionar dhe pronarë të kësaj kompanie e cila e ka vazhduar aktivitetin e fabrikës së duhanit “Bozhuri” në komunën e Gjilanit.

Abrashi ka 92% të aksioneve në këtë kompani. Genc Bashota ka 4% të aksioneve si dhe bashkëpronari tjetër është Shkëlzen Bashota me 4% aksione poashtu.