Gazetarja ukrainase thotë se është mirënjohëse për mikpritjen në Kosovë

Lyudmila Makey, gazetarja e parë ukrainase që ka arritur në Kosovë, ka thënë se është mirënjohëse për kolegët e saj gazetarë në vendin tonë, si dhe Qeverisë së Kosovës, për mikpritjen dhe solidaritetin.

Në një konferencë për media që Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), e mbajti sot bashkë me gazetaren ukrainase, kjo e fundit tregoj për përvojën e saj në luftën e Ukrainës.

Makey tha se puna si gazetar në Ukrainë është bërë shumë e rrezikshme.

“Puna si gazetar në Ukrainë është bërë shumë e rrezikshme, rusët vrasin të gjithë pa dallim nga mosha, gjinia, apo profesioni. Që nga fillimi i luftës kanë vdekur më shumë se 20 gazetarë nga sulmet ruse. Më shumë se 25 kolegë të mi që janë zhdukur në Mariupol, nuk ka asnjë lidhje me ta dhe nuk dihet asgjë për ta”, tha ajo.

Makey deklaroi se për të ardhja në Kosovë është shumë e rëndësishme, pasi që i mundëson të jetë e sigurtë dhe të vazhdoj të punoj në profesionin e saj.

Ajo foli edhe për përshtypjen e parë për qytetin e Prishtinës.

“Ndjehem e impresionuar nga bukuria e Prishtinës pavarësisht që dita ishte pak e ftohtë. E ndjeva ngrohtësi sepse njerëzit afër meje ishin të ngrohtë. Përpara kam lexuar dhe kam dëgjuar se Putini dhe Rusia don me na pushtu, por deri në fund nuk e kemi besuar”, tha tutje gazetarja ukrainase.

Tutje, Makey tha se arsyeja pse ka vendosur që të vijë në Kosovë, është se ka dëgjuar më herët për vendin tonë dhe i është dukur interesante që të mund të shkruaj për Kosovën dhe ta shoh si është.

“Kam dëgjuar dhe kam lexuar më herët për Kosovën dhe e kam kuptuar se dikush më herët është ndje, ashtu qysh ndihemi ne tash. Nuk kam pasur mundësi të shkruaj për Kosovën sepse nuk kam pasur kolegë që të mund të marr informatën e saktë”.

“Kur dëgjova për herë të parë për Kosovën, vendosa me ardhë sepse më është dukur interesant që të shoh me sytë e mi si është të jetosh në Kosovë”, tha gazetarja Makey.

Ajo po ashtu rrëfej për vështirësitë që i kishte pasur për tu takuar me vajzën e saj në fillimet e luftës, si dhe për zhdukjen e një kolegu të saj gazetar.

Ndërsa Flutura Kusari nga Qendra Europiane për lirinë e mediave tha se të paktën tre gazetarë të tjerë kanë kërkuar të strehohen në Kosovë.

“Ka qenë interesante sepse zakonisht nuk e dërgojnë në aplikim se ku duan të shkojnë por në këtë rast e kanë kërkuar specifikisht,” tha Kusari.

Ajo gjithashtu tha për mediat që nëse do të ketë kërkesa për të pranuar gazetare bashkë me familje do të bëhet e mundur. Programi Gazetarët në Rezidencë mundëson strehimin e gazetarëve nga zonat të rrezikut në vende të tjera si Kosovë apo Gjermani.

 

Arrin në Kosovë gazetarja e parë nga Ukraina