Gazetarja Saranda Ramaj - Grupi Koha
Gazetarja Saranda Ramaj flet për mungesën e indikacioneve në një ilaç në listën esenciale
Në listën esenciale të barnave të vitit 2019, në njërin prej ilaçeve nuk janë përshkruar edhe indikacionet që tregojnë se kush përfiton nga ai dhe që e përcakton numrin e pacientëve që përfitojnë nga kjo terapi.
Saranda Ramaj, gazetare hulumtuese e shëndetësisë nga Koha Ditore, në emisionin “Kallxo Përnime” ka folur lidhur me këtë rast, duke treguar se e ka monitoruar në mënyrë aktive listën esenciale në vitin 2019 dhe ka qenë pjesë në të gjitha takimet që janë mbajtur asokohe.
“Unë e kam monitoru në mënyrë aktive listën esenciale në vitin 2019 dhe kam qenë pjesë në të gjitha takimet. Një nga gjërat e para që më kujtohet është që është folur për indikacione dhe indikacionet janë folur nga takimi i parë e deri tek i fundit” – ka thënë ajo.
Saranda Ramaj ka thënë se indikacionet kanë qenë të përfshira në të gjitha draftet, por në fund nuk kanë qenë të publikuara.
“Kanë qenë të përfshira në secilin draft, por në fund nuk ka dhe megjithatë nuk mund të shikohet vetëm lista finale që publikohet në faqen e Ministrisë së Shëndetësisë si e vetme” – ka thënë ajo, duke shtuar se pajtohet që është gabim i rëndë që nuk janë shkruajtur indikacionet në listën finale.
“Në draftin final i është thënë administratës që kjo është lista finale dhe në aspektin teknik duhet me u përpunu në kohën 2019 dhe del në fund pa indikacion” – ka thënë ajo.
Tutje Ramaj ka shtuar se lista esenciale e ka një kosto financiare.
“Kostoja e parë e planifikimit të listës esenciale e vitit 2019 ka qenë 47 milionë euro. 47 milionë në komitet kanë thënë jo është shumë, nuk mundemi se nuk ka pare, Qeveria asokohe kanë thanë unë në mandatin tim nuk kam me e bë 47 milionë euro kështu që duhemi me i zvogëlu” – ka thënë gazetarja.
Tutje ajo ka treguar se asokohe është mbledhur sërish komiteti, që ka qenë i udhëhequr nga Naim Bardiqi, që sot është sekretar në Ministrinë e Shëndetësisë, dhe se në të njëjtën pozitë ka qenë atëherë.
“Dhe nëse e shikon kostimin nuk mund të thuash që kostimi është gjë obligative, ti nuk mund ta tejkalosh kostimin e listës esenciale dhe kështu ka ndodhë, nga 47 është zbritur për disa milionë” – ka thënë Saranda Ramaj.
Gazetarja tutje ka treguar se doktor Ilir Kurtishi ka thënë se një lloj citostatiku do e sigurojnë me donacion.
Paratë për këtë citostatik ajo ka thënë se janë zvogëluar nga kostoja edhe si përfundim lista ka ardhur diku në 35 milionë e 145 mijë euro, që ka përfshirë koston për parësorin, dytësorin, tretësorin.
“Nga 35 diku 11 milionë ose 10 milionë e diçka janë dashur për parësorin ndërsa pjesa tjetër për dytësorin, për imunoterapi kanë mbetur shumë pak, 150 mijë euro” – ka thënë ajo.
Ramaj ka thënë se nuk është hera e parë që ajo shkruan për rritje të citostatikëve, për barna të kushtueshme.
“Ne e kemi një hulumtim tepër të gjatë të 2015-ës që tregon se trendi ka qenë se rritja e kërkesave të shkojnë tek produktet që janë shumë të kushtueshme dhe për ironi atëherë e patëm gjetur një produkt shumë të kushtueshëm që ka qenë i patentuar” – ka thënë ajo.
Tutje e njëjta ka treguar se produktet e patentuara pasi u skadon patenta u bie çmimi në mënyrë drastike për shkak se kanë të drejtë edhe të tjerët ta qesin në treg.
Përderisa shton se për barin që ajo ka shkruar sapo i ka rënë patenta ka rënë edhe interesimi, e sipas saj gjithmonë ka dilema se si bëhet planifikimi në SHSKUK dhe sidomos në Klinikën e Onkologjisë.