Reçak - memorial complex

Gazetarja që raportoi për masakrën e Reçakut: Ishte një tmerr, njerëzit ishin pa kokë e me zemër të nxjerrë

Më 15 janar të vitit 1999, në fshatin Reçak të Shtimes ndodhi njëra prej masakrave më të rënda ndonjëherë. 45 shqiptarë, civilë të paarmatosur u vranë e u masakruan nga forcat policore të Serbisë.

Vjosa Hamiti, e cila është reportere e Qendrës Informative të Kosovës (QIK), ka treguar për masakrën e cila u raportua në tërë botën.

“Vetëm po i vërtetoj ato çfarë tha zotëri Muhamet. Ditën kur na erdhi informata në QIK se ka  ndodhur një masakër në Reçak, nuk kishte informata të sakta për shkak se banorët e fshatit ishin të mbyllur. Ne shkuam të organizuar bashkë me ambasadorin Walker, atëherë kur shkuam e pamë se çfarë ka ndodhur”, tha ajo në emisionin “Kallxo Përnime”.

Momentet më të vështira për gazetaren Hamiti ishin ato kur pa njerëz të masakruar.

“Atë ditë unë e kam pasë një aparat digjital me vete dhe të gjitha ato çfarë tha z. Muhahet i pata fotografu unë, I pari ishte ai plaku ku plisi ishte afër trupit të tij por pa kokë dhe i fundit ka qenë personi që bukfalisht, ia kanë nxjerr zemrën. Ka qenë një tmerr…”, rrëfen ajo masakrën e cila ndodhi 23 vite më parë në Reçak.

Të gjitha pamjet, ajo thotë se i ndanë më ambasadat e huaja.

Vjosa Hamiti, Foto: KALLXO.com

“Masakra e Reçakut hapi rrugët për bisedime, fotografitë e QIK-ut u janë dërguar të gjitha ambasadave të huaja, jo të gjitha fotografitë i kanë publikuar edhe mediat e huaja, për shkak të pamjeve të rënda. Fati në atë fatkeqësi ishte se OSBE dhe ambasadori Walker ishin në Prishtinë dhe ata e panë atë se çfarë ka ndodhur”, deklaron ajo.

23 vite pas, ajo thotë se shteti i Kosovës ka bërë pak për dokumentimin e krimeve të luftës.

“Shumë pak po flitet për historinë tonë, ne duhet t’i publikojmë çdo herë, edhe mediat me pasë më shumë reportazhe, edhe fëmijët duhet të shkojnë të shohin çfarë ka ndodhur atje”, tha ajo.