Gazetarja nga Deçani pretendon se policia ia shqetësoi familjen për grafitet e vendosura në mure të qytetit

Suada Qorraj, qytetare nga Komuna e Deçanit dhe gazetare në portalin Kultplus ka postuar një reagim në rrjetin e saj Facebook ndaj Policisë së Kosovës.

Në postimin e saj, Qorraj ka thënë se Policia e Kosovës i ka shqetësuar sot familjen e saj për shkak të një postimi të cilin e ka shpërndarë gjatë ditës së djeshme në rrjete sociale.

“Mbrëmë bëra share një aktivitet të një organizatë “Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist”, në të cilin tregohej se janë bërë grafite në Komunën e Deçanit. Sot përpos qe u sulmova pa bazë nga individ që fshihen pas portaleve, në shtëpinë time në Deçan familja u vizitua nga Policia e Kosovë”, thuhet në postimin e Qorrajt.

Sipas saj, vizita e Policisë së Kosovës ishte bërë vetëm mbi bazën e shpërndarjes së postimit nga ana e saj, duke aluduar që aktiviteti ishte realizuar nga Qorraj, gjë e cila sipas saj nuk është e vërtetë  pasi që ajo deri në momentin e publikimit të fotografive nuk ka qenë në dijeni për një aktivitet të tillë.

“Policia e Kosovës ka marrë mundimin që të shqetësoj familjarët e mi, po të njëjtin nuk kanë marrë mundimin që të verifikojnë faktet. Kjo është shqetësuese sepse është sulm direkt mbi fjalën e lirë”, ka shkruar Qorraj.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe përmes telefonit me qytetaren në fjalë e cila ka bërë të ditur se Policia ka shkuar para pak orëve në shtëpinë e axhës së saj.

“Sot, pak më herët ka shkuar Policia e Kosovës në shtëpinë ku banoj në Deçan, kanë shkuar te axha dhe me kanë kërkuar mbi bazën që grafitet janë bërë në dijeninë time, dhe për të marrë arsyen pse janë bërë, e po ashtu më kanë kërkuar emra të personave që kanë bërë grafitet”, ka thënë Qorraj për KALLXO.com.

Ajo ka thënë se me policinë ka biseduar edhe përmes telefonit në lidhje me këtë rast.

“Bisedova edhe përmes telefonit, më kërkuar që të ju tregoj emra se kush i ka bërë grafitet. Familja ime është shqetësuar, pasi që ata nuk kanë qenë të informuar se çfarë ka ndodhur, deri në momentin kur janë njoftuar nga policia”, ka thënë Qorraj.

KALLXO.com po pres një përgjigje nga ana e policisë në lidhje me këtë rast.

Organizata “Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist”, në facebook mbrëmë kanë postuar forografi duke bërë të ditur se kanë zhvilluar një aksion simbolik me grafite.

“Sonte në Deçan, bashkë me aktivistet feministe të Deçanit, u zhvillua aksion simbolik me grafite në muret e qytetit me parulla që dënojnë patriarkatin dhe shtypjen e grave. Përmes shkrimeve në mur, aktivistet/ët nxorën në hapësira publike disa të vërteta të grave të cilat përjetohen e riprodhohen në heshtje. Dhuna ndaj grave, ndalimi i shkollës nga baballarë, vëllezër e axhallarë, mbyllja e grave brenda mureve të shtëpisë u shkruan me ngjyrë të kuqe, si alarm për shoqërinë e institucionet dhe shenjë që revolta dhe rezistenca e grave po zihet shtëpive e rrugëve të qytetit”, thuhet në postimin e organizatës.