Gazetarja iraniane që dha lajmin për Mahsa Aminin po e paguan një çmim të rëndë

Niloofar Hamedi, gazetare iraniane e specializuar për të drejtat e grave, i ka shpëtuar persekutimit për vite me radhë – deri në ditën kur ajo bëri një foto të prindërve të Mahsa Amini duke u përqafuar me njëri-tjetrin në një spital të Teheranit, ku vajza e tyre ishte shtrirë në koma.

Fotoja, të cilën Hamedi e postoi në Twitter më 16 shtator, ishte shenja e parë për botën se gjithçka nuk ishte mirë me 22-vjeçaren Amini, e cila ishte arrestuar tri ditë më parë nga policia morale e Iranit për atë që e konsideronte veshje të papërshtatshme. 

Vdekja e Amini më vonë atë ditë do të nxiste një valë protestash masive në të gjithë Iranin që vazhdonin ende gati tri javë më vonë në pjesë të ndryshme të vendit, pavarësisht nga një përgjigjie të ashpër nga qeveria.

Fotoja e prindërve të Aminit ishte gjithashtu një nga gjërat e fundit që Hamedi, e cila punonte për të përditshmen pro reformës Sharq, do të postonte përpara se ajo të arrestohej disa ditë më vonë dhe llogaria e saj në Twitter të listohej si e pezulluar.

“Këtë mëngjes, agjentët e inteligjencës e bastisën shtëpinë e klientes sime Niloofar Hamedi, e arrestuan atë, kontrolluan shtëpinë e saj dhe i konfiskuan sendet e saj”- shkroi në Twitter avokati i Hamedit, Mohammad Ali Kamfirouzi, më 22 shtator.

Hamedi nuk është akuzuar dhe po mbahet në izolim në burgun Evin të Iranit, shkroi ai.

Duke u përballur me një nga sfidat më të guximshme për Republikën Islamike që nga revolucioni i vitit 1979, autoritetet iraniane e kanë përdorur forcën për ta shtypur shfaqjen më të madhe publike të mospajtimit në vite.

Të paktën 185 njerëz, përfshirë 19 të mitur, janë vrarë, qindra të plagosur dhe mijëra janë arrestuar nga forcat e sigurisë, sipas grupeve të të drejtave. Qeveria iraniane thotë se më shumë se 20 forca të sigurisë janë vrarë dhe se do t’i hetojë vdekjet e civilëve.

E apasionuar pas çështjeve dhe të drejtave të grave

Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ) u ka bërë thirrje autoriteteve iraniane që “t’i lirojnë menjëherë dhe pa kushte… të gjithë gazetarët e arrestuar për shkak të mbulimit gazetaresk nga ana e tyre të vdekjes së Mahsa Amini dhe protestave që pasuan”.

Ky komitet tha muajin e kaluar se të paktën 28 ​​gazetarë janë arrestuar nga forcat e sigurisë, përfshirë Hamedin.

Miqtë e Hamedit e cilësuan atë si një gazetare të guximshme që është e apasionuar pas çështjeve dhe të drejtave të grave. Artikujt e saj investigativ mbulojnë tema të tilla si vetëdjegja mes grave që vuajnë nga abuzimi në familje dhe ajo intervistoi familjen e Sepideh Rashno, një shkrimtare dhe artiste iraniane, e cila u arrestua në muajin korrik për kundërshtim të kodit islamik të veshjes.

“Ajo gjithmonë doli përtej kufirit të saj për të qenë zëri i grave pa zë që u privuan nga të drejtat e tyre, qoftë nga baballarët, burrat apo nga kufizimet shoqërore”- tha një mikeshë e saj për Reuters, nga frika e hakmarrjes.

Autoritetet iraniane e kanë fajësuar dhunën mbi një sërë armiqsh, duke përfshirë disidentë të armatosur kurdë iranianë, me Gardën Revolucionare që i sulmoi bazat e tyre në Irakun fqinj disa herë gjatë trazirave të fundit.

“Shpresojmë që Hamedi të kthehet në zyrë. Ta vendos çantën e saj në tavolinë, … të shkruaj për gratë e privuara dhe anonime që janë viktima të paragjykimeve në Iran”- shkroi redaktori i saj Shahrzad Hemmati më 11 tetor./Reuters

Përgatiti: Nuhi Shala