Gazetarja e KALLXO.com, Vlera Shabani fiton çmimin e dytë për raportimin e përgjegjshëm rreth diabetit
Vlera Shabani, gazetare e shëndetësisë në KALLXO.com ka fituar Çmimin e Dytë për “Raportimin e Përgjegjshëm rreth Diabetit 2024”, me artikullin e saj me titull: “Kemi shumë shpenzime – Prindërit e fëmijëve me diabet presin dorën e shtetit”.
Shabani është vlerësuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), në bashkëpunim me projektin ‘Shërbimet Shëndetësore të Integruara (IHS), dhe Kujdesi Shëndetësor i Qasshëm’ dhe (AQH) të financuara nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC).
Çmimi i parë i është ndarë gazetares Diana Basholli nga “Shneta”, ndërsa i treti i është ndarë gazetares Arbëreshë Uka nga “Klan Kosova”.
Artikulli i gazetares Shabani, i ndërtuar mbi një rrëfim, portretizon shumanshëm vështirësitë që hasin familjet e fëmijëve me diabet në Kosovës, duke shpërfaqur kështu edhe ndihmën pothuajse zero nga shteti – gjë që e bën edhe më të vështirë ballafaqimin me sëmundjen.
Nën llupën e gazetares Shabani, rrëfehet jeta e Arjetës, nënë e dy fëmijëve që vuajnë nga diabeti që shtatë vite.
Duke treguar në njërën anë vështirësitë e saj e krahasuar çdoherë me mospërkrahjen shtetërore, vihet në pah lufta e një nëne e cila zgjohet çdo ditë në orën 03:00 dhe 06:30 të mëngjesit për t’ua matur nivelin e sheqerit në gjak dy fëmijëve të saj me diabet të tipit 1.
“Rrëfimi i Arjetës për vështirësitë që i ka kaluar gjatë jetës saj për me u përkujdes për dy fëmijët e saj me diabet ka qenë njana prej atyre intervistave kur është shumë e vështirë me e ruajt profesionalizmin e mos me t’pik naj lot edhe ty”- tha Shabani gjatë pranimit të çmimit.
Shabani tha që shpreson se ky artikull dhe raportimet e kolegeve për diabetin do të ndikojnë që institucionet të ofrojnë më shumë përkrahje për familjet që kanë shumë nevojë për mbështetje.
Në rreshtat e Shabanit, gjumi i Arjetës është sfida e saj më e vogël, “pasiqë rëndesa emocionale, trajtimi i pakënaqshëm në institucione shëndetësore dhe vështirësitë financiare janë ato që e shqetësojnë më së shumti gjatë këtij rrugëtimi aspak të lehtë”.
Ashtu siç edhe përshkruan Shabani në artikullin e saj, sëmundja e diabetit, e njohur në popull si “sheqeri” përcillet edhe me shumë shpenzime materiale, që për familjen e Arjetës kanë qenë vështirë të përballueshme sa që një pagë e një pension janë tejet të pakta për t’i mbuluar nevojat e tyre.
Përmes Arjetës, në këtë artikull, vihet në dritë një problem i përgjithshëm që i shoqëron familjet e diabetikëve, që përveç insulinës që marrin tri herë në ditë, ajo thotë se nuk u kanë ofruar më shumë, pavarësisht shpenzimeve që kanë.
Në anën tjetër të kësaj storie, tregohet se si Ministria e Shëndetësisë nuk ka as të dhëna për numrin e fëmijëve të prekur nga diabeti, sepse të dhënat nuk i ka të bazuara në grupmosha. Ndërsa, Klinika e Pediatrisë, ku trajtohen fëmijët me diabet thotë se ka rritje të numrit të pacietëve që diagnostikohen me këtë sëmundje.
Artikulli i plotë, fitues i çmimit të dytë:
“Kemi shumë shpenzime”: Prindërit e fëmijëve me diabet presin dorën e shtetit