Gazetarja e KALLXO.com shpërblehet me çmim në mbrojtje të fëmijëve

Gazetarja e KALLXO.com, Adelina Ahmeti është shpërblyer me çmim në fushën e mbrojtjes sociale dhe decentralizimit të shërbimeve sociale, me fokus në mbrojtje të fëmijëve në Kosovë për vitin 2019, ndarë nga Koalicioni i OJQ-ve KOMF.

Ahmeti është vlerësuar për punën e saj me një seri të raportimeve për sfidat e fëmijëve kosovarë të kthyer nga luftërat në Siri.

Pas marrjes së çmimit, gazetarja Ahmeti tha se u shpreh e lumtur që ky çmim shkon për fëmijët e rikthyer nga Siria.

“Me u marr më fëmijët e rikthyer nga lufta, është qejf. I kam përcjell i kam taku, kanë tregu që kanë motiv me jetu. Po më vjen mirë që një çmim i tillë prej KOMF-it po shkon për këta fëmijë. Po shpresoj që institucionet nuk do t’i neglizhojnë këta fëmijë. Faleminderit të gjithëve për vlerësimin”, shtoi ajo.

Gazetarët e tjerë që janë shpërblyer me çmime janë: Ardita Rashiti nga Televizioni T7, gazetari Besnik Krasniqi nga gazeta “Koha Ditore”, Blerta Ahmeti nga Klan Kosova, Kaltrina Rexhepi nga RTK-ja dhe Leonida Molliqaj nga Preporter.

Kryesuesja e panelit vlerësues, gazetarja Evliana Berani tha se në garë kanë marrë pjesë 16 gazetarë.

“Gjithpërfshirja, këmbëngulja e gazetarit për ngjarjen, llojllojshmëria e burimeve, relevanca e shkrimit, respektimi i parimeve etike dhe standardeve profesionale, ishin vetëm disa kriteret që i kemi pasur parasysh. Ka qenë shumë e vështirë, të vendosim kush do të jenë fituesit”, tha ajo.

Ndërkaq, paraprakisht drejtoresha e KOMF-it, Donjeta Kelmendi i përmendi arritjen në këtë vit për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe sfidave në vitin e ardhshëm.

“Këtë vit për herë të parë ka arritur të miratohet ligji për mbrojtjen e fëmijëve në Kosovë. Ne gjatë gjithë kohës në këtë rrugëtim të gjatë e kishim përkrahjen e  mediave dhe gazetareve. Krahas ligjit u aprovua edhe grandi specifik për punë sociale qe të sigurohet buxheti për mbrojtjen edhe mirëqenien e fëmijëve në Kosovë”, tha ajo.

Megjithatë, sipas Kelmendit, mbetet akoma më shumë punë për t’u bërë.

“Kemi një shkallë të lartë të varfërisë së fëmijëve në Kosovë. 6.8 për qind të fëmijëve bëjnë punë të rënda. Vetëm 10 për qind e fëmijëve me nevoja të veçanta përfitojnë nga shërbime shëndetësore sociale dhe arsimim. Viti 2020 do ta na gjej të fokusuar në zbatim të legjislacionit”, theksoi Kelmendi.

Më poshtë i gjeni raportimet e gazetares së KALLXO.com, Adelina Ahmeti, për të cilat u vlerësua më çmim nga KOMF-i:

Jeta e grave nga kampet e ISIS në burgun shtëpiak të Kosovës

Sfida e integrimit në arsim për fëmijët e rikthyer nga Siria