Redaktori i KRIK-ut, Stevan Dojçinoviq | Foto: Facebook

Gazetarit hulumtues nga Serbia i ndalohet hyrja në Emiratet e Bashkuara Arabe

Redaktorit dhe gazetarit hetues serb, Stevan Dojçinoviq, i është  ndaluar hyrja në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Dojçinoviq, redaktor në Rrjetin për Raportim të Krimit dhe Korrupsionit në Serbi, KRIK, u kthye prapa në Serbi pasi që u ndalua në aeroportin e Abu Dhabit, ku ishte planifikuar të fliste në një takim të madh të organizuar nga Kombet e Bashkuara mbi antikorrupsionin.

Më 18 dhjetor, herët në mëngjes, Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëvve, CPJ, ka njoftuar përmes rrjetit social Twitter se Dojçinoviq i ka thënë CPJ-së se policia e Emirateve i ka bërë të ditur atij se ai ishte në listë të zezë dhe se duhet të kthehej prapa në Serbi.

“Autoritetet në aeroport e kanë mohuar se qeveria e Emirateve e ka vendosur atë në listën e zezë, porse refuzuan ta identifikojnë shtetin që e ka lëshuar një urdhër të tillë,” tha CPJ.

Tutje, aty thuhet se autoritetet në aeroportin Abu Dhabi i kanë marrë shenjat e gishtërinjëve dhe e kanë  fotografuar Dojçinoviqin dhe që nga ajo kohë po e mbajnë pasaportën e tij, por që ai nuk është ndaluar.

“Ai i tha CPJ-së se kishte planifikuar të kthehet në Serbi në orën 8 të mëngjesit sipas kohës lokale”.

Publiku u alarmua për këtë rast pasi redaktori i Projektit për Raportim të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, OCCRP, Drew Sullivan shkroi përmes Twitter se Dojçinoviqit i është ndaluar hyrja në EBA.

KRIK i Serbisë është gjithashtu pjesë e rrjetit OCCRP.

“Emiratet e Bashkuara Arabe do të duhej të japin shpjegime në lidhje me zotimet e tyre,” tha ai.

Dojçinoviq është gazetar i shquar serb i KRIK i cili hulumton aktivitetet korruptive dhe kriminale në Serbi.

Ai ështe shpërblyer me Çmimin e Gazetarisë ‘Knight International’ më 12 nëntor 2019, në SHBA.

Kjo nuk është hera e parë që Dojçinoviqit i ndalohet hyrja në ndonjë vend pasi që me 13 maj të vitit 2015, atij iu ndalua të hynte në Rusi dhe iu shqiptua një ndalesë 5-vjeçare për hyrje në këtë shtet.