Gazetari Vehbi Kajtazi, Foto: Facebook
Gazetari Vehbi Kajtazi: Nuk ndjehem i sigurt
Pasi u zbulua një “pajisje e dyshimtë” në veturën e tij, gazetari Vehbi Kajtazi ka reaguar duke thënë se nuk ndjehet i sigurt.
Pajisja e dyshimtë që u zbulua në veturën e Kajtazit, sipas Policisë, dyshohet se është GPS (Sistemi Global i Pozicionimit), pajisje që tregon vendndodhje.
Kajtazi ka kërkuar që të vërtetohet se kujt i përket pajisja e dyshimtë dhe kush e ka vendosur atë në veturën e tij.
“Si gazetar që kam shprehur shqetësime të vazhdueshme për përndjekje nga pushteti, kërkoj që të vërtetohet se kujt i përket pajisja, kush e ka vendosur dhe a ka bazë ligjore. Unë tashmë nuk ndjehem i sigurt, ndonëse nuk ua kam frikën. Po konfirmohet se nuk ka siguri juridike më. Mbase as fizike” – ka shkruar Kajtazi në Facebook, më 31.10.2024.
Më tej, në reagmin e tij, Kajtazi e përshkruan pajisjen e dyshimtë se është prodhim britanik me SIM kartë dhe internet, dhe sipas tij, është lehtë e verifikueshme se kujt i përket.
“Kërkoj që këtë rast ta marrë Prokuroria Speciale. Po ashtu, kërkoj që gjatë procesit të ekzaminimit të saj të jenë të pranishëm edhe avokatët e mi” – ka shtuar ai.
Kajtazi gjithashtu ka njoftuar se pajisja është tërhequr nga vetura nga Njësitë e specializuara të Policisë dhe se është bërë kontrolli i veturës për ndonjë mjet tjetër të dyshimtë, por nuk është zbuluar ndonjë gjë.
Në lidhje me rastin e pajisjes në veturën e gazetarit Vehbi Kajtazi, Policia e Kosovës ka deklaruar se kanë intervistuar gazetarin Kajtazi dhe sipas informatave fillestare, siç thonë dyshohet se pajisja që pretendohet se ka qenë e vendosur në veturën e tij është GPS (Sistemi Global i Pozicionimit), pajisje që tregon vendndodhje.
Kështu deklaroi Policia e Kosovës në një përgjigje për KALLXO.com.
“Është intervistuar gazetari në fjalë dhe këto informacione (edhe një pajisje/dëshmi që sipas informatave fillestare dyshohet të jetë GPS), janë duke u trajtuar në bashkëpunim me prokurorinë për të sqaruar rrethanat dhe dyshimet e tjera, përfshirë këtu edhe angazhimin e profesionistëve të Policisë së Kosovës që merren me trajtimin e mjeteve apo pajisjeve të dyshimta” – thuhet në përgjigjen e Policisë, më 31.10.2024.
Policia nuk ka ndarë më shumë informacione, por kanë thënë se për mbarëvajtjen dhe rezultatet e hetimeve që po realizohen në bashkëpunim me prokurorinë, do të njoftoheni me kohë.
KALLXO.com e ka pyetur edhe Prokurorinë e Prishtinës për këtë rast, por nuk ka marrë përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.
Gazetari Vehbi Kajtazi ka njoftuar sot më 31.10.2024 se një pajisje e dyshimtë i është vendosur në veturën e tij.
Sipas Kajtazit, pajisja e dyshimtë që ka qenë e vendosur në veturën e tij është zbuluar pasi ai e kishte dërguar veturën për kontrollim teknik më 31.10.2024.