Gazetari Vehbi Kajtazi njofton se u zbulua një pajisje e dyshimtë në veturën e tij
Gazetari Vehbi Kajtazi ka njoftuar sot më 31.10.2024 se një pajisje e dyshimtë i është vendosur në veturën e tij.
Sipas Kajtazit, pajisja e dyshimtë që ka qenë e vendosur në veturën e tij është zbuluar pasi ai e kishte dërguar veturën për kontrollim sot, më 31.10.2024.
Kajtazi po ashtu njoftoi se Policia ka dalur në vendin e ngjarjes dhe se është i njoftuar prokurori i shtetit për këtë rast.
“Sot kam sjell veturën në servis për kontroll. Gjatë kontrollit është zbuluar se në veturën time është një pajisje e dyshimtë e vendosur në anën e majtë afër rrotës. Policia është në vend të ngjarjes duke pritur njësitë e specializuara. Për këtë rast është njoftuar edhe prokurori i shtetit” – ka shkruar Kajtazi në Facebook, më 31.10.2024.
Ndërkaq, para një ore në profilin e Kajtazit në Facebook është ndarë edhe një video me përshkrimin “Pajisja që u gjet në veturën e gazetarit Kajtazi” e në të cilën shfaqen pamje të një pajisjeje, një veture të Policisë dhe një veture që sipas videos ndodhet në një vend ku bëhet kontrollimi i veturave.
Ka më shumë se një orë e gjysmë që KALLXO.com e ka pyetur Policinë dhe Prokurorinë e Prishtinës për këtë rast, por nuk ka marrë përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.