Gazetari serb thotë se po të ishte kryeministër do të kërkonte falje në Mejë për jetët e humbura në luftë

Gazetari serb në Kosovë, Branislav Kërstiq, tha se po të ishte kryeministër, ditën e parë do të kërkonte falje në Mejë për jetët e humbura në luftë.

“Unë si kryeministër, ditën e parë shkoj në Mejë edhe si serb kërkoj falje nga ata qytetarë që e kanë humbur jetën nga forcat paralele ose të rregullta të Serbisë” – tha ai.

I pyetur se pse pikërisht në Mejë, përgjigja e tij ishte se është nga Gjakova dhe aty po i dhemb më shumë, sepse ka ngrënë shumë bukë atje, te disa njerëz.

Ndërsa, ditën e dytë tha se do të shkonte në veri. “Kryeministri duhet të shkojë njëjtë si në Mejë si në veri” – shtoi Kërstiq.

Ai shtroi pyetjen se çka kanë përfituar nga Qeveria qytetarët serbë të Kosovës që e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës.

“Asgjë, veç vendimet me zor” – u përgjigj vetë ai.

Në atë drejtim, sipas tij, kryeministri Albin Kurti ka punuar kundër komunitetit serb.

“Krejt serbët i ka fut në një grusht me atë diktatorin në Beograd dhe me Listën Serbe” – u shpreh gazetari, duke iu referuar presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Kërstiq ishte i ftuar në emisionin “KallxoPernime” ku u diskutua për zhvillimet në veri bashkë me avokatin Faton Fetahu, gazetarin Kreshnik Gashi dhe profesorin Nexhmedin Spahiu.