Gazetari serb: Asociacioni, një fitore e madhe për Albin Kurtin

Në emisionin “Kallxo Përnime” po diskutohet rreth marrëveshjeve të dakorduara në Bruksel e Ohër mes Kosovës dhe Serbisë.

Gazetari Bane Kërstiq, Asociacionin (e komunave me shumicë serbe) e ka quajtur fitore të madhe për kryeministrin Albin Kurti.

Ai ka thënë se Kurti ka bërë fushatë kundër Asociacionit në mënyrë që ai të mos ketë kompetenca ekzekutive.

“Me fushatën e tij, ai arriti të bindë Administratën amerikane se Asociacioni mund të mos ketë kompetenca të tilla ekzekutive të cilat do të prishnin në njëfarë mënyre rendin kushtetues të shtetit të Kosovës” – tha ai.

Ai ka thënë gjithashtu që në të kaluarën presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ishte i bindur që asnjëherë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe se Kosova “është zemra e Serbisë”.

“Kemi arritur në atë pikë që Vuçiqi pajtohet se vetëm Asociacioni është zemra e Serbisë. Një gjë nuk është bindëse; A njihni çfarëdo shteti në Evropë i cili lejon që provinca e tij të lëshojë dokumente ligjore? Nuk ekziston diçka e tillë. Prandaj Kosova është shtet, në bazë të asaj që ka pranuar Aleksandar Vuçiq me pranimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe anekset e Ohrit” – tha ai.

Kryeministri Albin Kurti lidhur me draftimin e statutit për vetëmenaxhimin e komunitetit serb në Kosovë sipas Planit të BE-së kishte thënë që në vitin 2020 ishte emëruar një ekip prej 6 personave që do punonte në draftin e Asociacionit.

“Ekipi që do draftonte këtë statut është prej gjashtë personave të cilët janë emëruar në shtator të vitit 2020 dhe vendimin për këtë e ka bërë ish zv/kryeministri i atëhershëm, Goran Rakiq nga Lista Serbe. Këta gjashtë persona janë dy serbë nga veriu, dy nga jugu, shefi i OSBE-së dhe ministri i Pushtetit Lokal. Në bazë të marrëveshjes së vitit 2015, ky ekip do duhej të draftojë statutin e Asociacionit” – ishte shprehur Kurti.