Gjergj Erebara - BIRN Shqipëria

Gazetari nga Shqipëria: Urdhri i Prokurorisë për të mos publikuar informacionet e rrjedhura nuk ka bazë ligjore

19 shtator, Prokuroria e Tiranës nxori një vendim që ndalonte publikimin e materialeve, sipas tyre, të ndjeshme, nga mediat. Bëhet fjalë për materiale të cilat ishin hakuar nga iranianët dhe të publikuara atje.

Ky reagim erdhi pasi në media doli lajmi se gjatë vitit 2021 ishte planifikuar një atentat ndaj kryeministrit Albin Kurti. Por, këtë vendim e kanë kundërshtuar gazetarët në Shqipëri.

Gjergj Erebara nga BIRN Shqipëria tha se njoftimi nuk kishte bazë ligjore për t’u drejtuar mediave.

“Urdhrin e Prokurorisë ne e konsiderojmë të pavlefshëm dhe nuk më drejtohet mua, nuk e di se kujt i drejtohet, por nuk i drejtohet medias sepse s’ka bazë ligjore që Prokuroria të urdhërojë median për diçka të tillë” – deklaroi ai në emisionin “Kallxo Përnime”.

“Ruajtja e sekretit hetimor i përket Prokurorisë dhe personave që kanë këtë sekretit hetimor. Në rastin konkret kemi të bëjmë me gjëra që janë botërisht të ditura. Një urdhër prokurorie as nuk ua ndalon qarkullimin e tyre, as nuk ka mjete që t’i ndalojë këto publikime” – tha tutje ai.

Por, Erebara tha se gazetarët duhet të kenë kujdes kur përdorin informacionet që rrjedhin nga organet e sigurisë. Sipas tij, ata duhet të ndjekin vetëm interesin publik.

“Gazetarët duhet të ndjekin interesin publik, të publikojnë lajme me interes publik dhe të kenë përgjegjësinë që nëse ka të dhëna sensitive, sa është e mundur për gazetarët, të mos i dekonspirojnë. Aty ka disa informacione që janë sensitive dhe janë të karakterit personal” – tha ai.

“Unë mendoj që gazetarët duhet ta konsiderojnë këtë urdhrin e Prokurorisë si nul dhe të pavlefshëm dhe inekzistent, si i tillë duhet të trajtohet” – deklaroi Gjergj Erebara.