Gazetari Mefail Bajqinovci aderon në Vetëvendosje

Gazetari Mefail Bajqinovci i është bashkuar Lëvizjes Vetëvendosje.

Anëtarësimin e tij e ka bërë të ditur lideri i VV-së, Albin Kurti për të cilin thotë së si rezultat i punës shumëvjeçare në gazetari, sipas tij, konsiderohet si njohës shumë i mirë i fushës së sundimit të ligjit.

“Në publikun kosovar identifikohet si njëri nga udhëheqësit më të guximshëm të emisioneve televizive, duke dhënë një kontribut të çmuar në promovimin e gazetarisë hulumtuese dhe nxitjen e aktivizimit qytetar. Për 15 vjet rresht “Puls” ka goditur krimin e organizuar dhe korrupsionin institucional duke sjellur informacione ekskluzive e skandale si dhe duke trajtuar problemet e ndryshme në shoqërinë kosovare, që nga menaxhimi i shtetit, e deri te politika, ekonomia, shëndetësia dhe çështjet sociale”, thuhet në njoftimin e Kurtit në rrjetin social ‘Facebook’.

Ky është postimi i plotë i Albin Kurtit në rrjetin social ‘Facebook’. 

Mefail Bajqinovci, është emër shumë i njohur për publikun. Si gazetar, autor dhe drejtues i deritanishëm i emisionit “Puls” në KTV, për 18 vite z.Bajqinovci ka krijuar një emër të pazëvendësueshëm në gazetarinë televizive.

Në publikun kosovar identifikohet si njëri nga udhëheqësit më të guximshëm të emisioneve televizive, duke dhënë një kontribut të çmuar në promovimin e gazetarisë hulumtuese dhe nxitjen e aktivizimit qytetar. Për 15 vjet rresht “Puls” ka goditur krimin e organizuar dhe korrupsionin institucional duke sjellur informacione ekskluzive e skandale si dhe duke trajtuar problemet e ndryshme në shoqërinë kosovare, që nga menaxhimi i shtetit, e deri te politika, ekonomia, shëndetësia dhe çështjet sociale.

Z. Bajqinovci për këto 18 vite ka qenë një zë i fuqishëm kritik ndaj keqqeverisjes dhe abuzimeve me pozitat zyrtare, prona dhe haraç etj. Si rezultat i punës shumëvjeçare në gazetari, sot konsiderohet si njohës shumë i mirë i fushës së sundimit të ligjit.

Mefail Bajqinovci ka lindur dhe është rritur në Prishtinë. Ka mbaruar fakultetin e Komunikimit Masiv. Është trajnuar dhe çertifikuar në fushën antikorrupsion dhe siguri.