Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Gazetari Krstiq: Rasti i Oliver Ivanoviqit është hetuar shkel e shko

Gazetari serb, i cili jeton në veri të Mitrovicës, Branisllav Krstiq, njihet edhe si mik i afërt i  ish-politikanit Oliver Ivanoviq, i cili u vra në janar të vitit 2018 para selisë së partisë së tij.

Krstiq tha se krimi në përgjithësi në tetë vitet e fundit është forcuar nga ana e ‘pushtetit në Prishtinë’.

“Flasim për qeverinë e shtetit të Kosovës në tetë vitet e fundit. Çka bëjnë kryeministri, kryetarët, u ofrojnë Listës Serbe dy mijë vende të punës, punësojnë dikë dhe pa dalë ata në punë marrin ka 500-600 euro. Çka na shpjegon kjo? Të gjitha vendet e punës i kontrollon nga buxheti i Beogradit dhe buxhetin e Kosovës. Kush i kontrollon? Lista Serbe, të dyja janë në duart e Listës Serbe”, tha gazetari Krstiq.

Ai madje përmendi edhe se ka raste kur Lista Serbe ka kërkuar nga qytetarë të cilët i ka punësuar që përmes fakteve të vërtetojnë se të njëjtit për pesë vite kanë vota vetëm për Listën Serbe.

“Ai që aplikon për vendin e punës e ka veç një detyrë: me garantu pesë vite vota të fotografuara të sigurta për Listën Serbe. Kemi doganierë që punojnë në Serbi që punon në Doganë midis Serbisë dhe Bullgarisë. Ai është i punësuar dhe paguhet nga buxheti i Kosovës”, shtoi Krstiq.

Ai madje foli edhe për zgjedhjet e fundit dhe habinë se si Lista e Boshnjakëve në këto zgjedhje mori më shumë vota se më parë.

“E papranueshme është që Lista e Boshnjakëve  në Zubin Potok që prej kohës së Millosheviqit nuk e kemi pasur më shumë se 15 vota tash në këto zgjedhje të fundit kemi 400 vota, për kënd? Për Listën e Boshnjakëve. Njëjtë e kemi pasur edhe në komunën e Gjilanit, apet flasim për bossët e Listës Serbe. Kush kontrollon komunitetin serb? Me siguri Lista Serbe por jo pa interesat e dikujt në Prishtinë. Partnerët e Listës Serbe janë ata dikush”, tha tutje ai.

Krstiq komentoi edhe tërheqjen e urdhër-arrestit ndaj Radoiçiqit deri sa tha se po flet me thashetheme pasi që për disa persona siç janë Veselinoviq e Radoiçiq nuk ka aktakuza të veçanta dhe se nuk janë të faktuara se të njëjtit janë bossët e veriut të Mitrovicës.

“Shteti i Serbisë, Vuçiq ka deklaru se ai (Radoiçiq) e ka kalu poligrafin dhe nuk ka lidhje me Ivanoviqin. Tash Gjykata e Kosovës thotë që ai nuk ka asnjë lidhje me vrasjen e Ivanoviqit. Nuk kemi asnjë akuzë nga gjykata që Zvonko Veselinoviq apo Milan Radoiçiq janë.. Ne nuk kemi të drejtë të flasim thashetheme. Mendimi im është që pas vrasjes së Oliverit ne kemi pasur një mendim që hetimi i rastit ishte në mënyrë shkel e shko, prej fillimit. Ky është mendimi im”, tha tutje ai.

Ai madje tregoi se ka pasur informacione të cilat kanë qarkulluar në veri të Mitrovicës se para bastisjes së banesës së Radoiçiqit, të njëjtit i kishte shkuar informacioni dhe më pas ka ikur.