Dalibor Jevtiq, kryetar i Komunës së Shtërpcës

Gazetari i “Radio Borzani” pretendon se kryetari i Shtërpcës e përzuri nga salla e Komunës

Gazetari i “Radio Borzani”, Sasha Iliq, pretendon se nuk është lejuar të përcjellë një takim sot, më 31.07.2024, që është mbajtur mes banorëve dhe kryetarit të Shtërpcës.

Lidhur me këtë rast, portali “Kossev” raporton se pretendimi i Komunës është se “Iliq nuk është gazetar, por një person i cili ka kohë që ka filmuar pa autorizim”.

Madje, “Kossev” raportoi se Komuna ka thënë se gazetari në fjalë është raportuar në Policinë e Kosovës për zbulim të paautorizuar të të dhënave personale.

Tutje në raportim është thënë se kryetari i Komunës së Shtërpcës, Dalibor Jevtiq, ka organizuar një takim me banorët e fshatrave Biti e Epërme dhe Biti e Poshtme.

Në raportim thuhet se Komuna se nuk bëri të ditur arsyen e takimit, kurse faqja në Instagram e “Radio Borzani” raportoi se bëhej fjalë për problemin e furnizimit me ujë, me të cilin banorët po përballen prej kohësh.

Gazetari Iliq dha një prononcim për “Kossev”, me ç’rast tregoi se është prezantuar si gazetar i “Radio Borzani”.

“Kur kryetari më tha se nuk jam gazetar, atëherë i thash se mund të merrja pjesë në takim edhe si person privat, për çka ai reagoi menjëherë dhe tha se takimi nuk mund të fillojë derisa të dilja unë nga salla” – citohet të ketë thënë Iliq sipas “Kossev”.

KALLXO.com provoi të marrë një përgjigje nga Komuna e Shtërpcës, mirëpo deri më tani Komuna nuk ka kthyer përgjigje.