Gazetari i KALLXO.com shpërblehet me çmim për hulumtimin për ambient

Organizata ÇOHU ka ndarë tri çmime për shkrimet më të mira që trajtojnë tema të ambientit, të publikuara në mediat online dhe të shkruara të Kosovës në periudhën tetor 2019 – shtator 2020.

Gazetari i KALLXO.com Behar Mustafa është shpërblyer me çmimin e dytë me shkrimin “Shteti financon degradimin e ambientit” i publikuar me 16 maj 2020.

Në këtë hulumtim  është treguar se si institucionet e Kosovës me para të taksapagueseve po e financojnë degradimin e ambientit.

Hulumtimi i emisionit “Drejtësia në Kosovë” kishte zbardhur se disa projekte infrastrukturore të financuara nga buxheti i Kosovës janë realizuar me materiale të eksploatuara ilegalisht dhe duke e dëmtuar ambientin.

Sipas njoftimit të “Çohu”, në vendin e parë është vlerësuar shkrimi “Pesha që mbartin është një lumë”, e autores Cristina Mari në Kosov 2.0 dhe në vendin e tretë është vlerësuar shkrimi “Ndërtime pa leje, pa pronësi e pa kritere në “Bjeshkët e Nemuna”, i autores Marigona Brahimi në Koha Ditore.

Për shkak të situatës së pandemisë, organizata ka njoftuar se  këtë vit nuk do të organizohet ceremoni për ndarjen e këtyre çmimeve.

Çmimi për storiet më të mira për ambientin ka për qëllim promovimin e arritjeve në raportim që lidhet me ambientin si dhe nxitjen e gazetarëve për të shkruar për temat që lidhen me ambientin në Kosovë dhe më gjerë.

Ky çmim është krijuar nga Organizata ÇOHU! në kuadër të koalicionit Pro OPEN për mbështetjen e gazetarisë së shkruar në fushën e mbrojtjes së ambientit.

Shteti financon degradimin e ambientit

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.