Gazetari i KALLXO.com Egzon Dahsyla fiton çmimin e parë të Ambientit

Gazetari Egzon Dahsyla ka fituar çmimin e parë të Ambientit nga Organizata Çohu me hulumtimin “Vazhdon djegia ilegale, shteti ka dështuar të trajtojë gomat e nxjerra nga përdorimi edhe pse është material i riciklueshëm”  të publikuar në KALLXO.com në muajin maj të këtij viti në kudër të projektit të MCC për cilësinë e ajërit.

Hulumtimi i gazetarit Egzon Dahsyla trajton problemin e ndotjes së ambientit nga nxjerrja jashtë përdorimit e gomave të automjeteve.

Hulumtimi i gazetarit Dahsyla tregon si në Kosovë edhe 21 vjet pas përfundimit të luftës, ende nuk e ka një plan të mirëfilltë për menaxhimin e gomave të automjeteve të cilat nxirren jashtë përdorimit.

Hulumtimi po ashtu trajton problematikën e kompanive private në Kosovë, të cilët janë ‘dorëzuar’ karshi barrierave që i kanë për të trajtuar këtë ndotës ambiental.

Karshi problemeve të theksuara me mjedis, djegia ilegale e gomave jashtë përdorimit vazhdon të jetë një problem i heshtur nga institucionet e thirrura për ta mbrojtur ambientin nga degradimi.

Për më tepër djegia ilegale e tyre vazhdon të jetë prezente.

Askush nga shteti nuk e ka një përgjigje zyrtare, definitive dhe të saktë se çka ndodhë në Kosovë me gomat që nxirren jashtë përdorimit dhe me mbeturinat e saj.

Ndonëse Udhëzimi Administrativ për gomat e cakton se Kosova duhet ta ketë të paktën një Qendër grumbulluese, trajtuese dhe ricikluese të gomave, një e tillë ende nuk ekziston.

Këto çmime ndahen nga Organizata ‘ÇOHU’.

InternewsKosova zbaton projektin  “Përdorimi i mediave për të rritur vetëdijen lidhur me shkaktarët kryesorë të ndotjes së ajrit në Kosovë” është pjesë e “Dig Data Challenge” e mbështetur nga Millennium Foundation Kosovo (MFK) dhe Millennium Challenge Corporation (MCC), si pjesë e Dig Data Challenge për të dhënat mbi cilësinë e ajrit. Projekti implementohet nga Internews Kosova. Shkrimi i gazetarit Egzon Dahsyla është realizuar në kuadër të këtij projekti.