Gazetari Altin Ahmeti flet për sulmin ndaj tij, AGK e dënon sulmin

Mbrëmë në një kafeteri të Prishtinës është sulmuar fizikisht gazetari i RTK-së, Altin Ahmeti.

KALLXO.com ka kontaktuar me Ahmetin i cili tha se kanë qenë pesë persona të cilët kanë hyrë në lokal dhe e kanë sulmuar.

“I ka policia të gjitha kamerat, video- incizimet. Kanë qenë pesë persona që kanë hyrë në lokal. Kur më kanë sulmuar më kanë thënë se kemi me të vra”, tha për KALLXO.com, Altin Ahmeti i cili është kryeredaktor i Web-it në RTK.

Tutje ai shtoi se njërin nga personat që e ka sulmuar e ka identifikuar me emër e mbiemër ndërsa shton se më të njëjtin asnjëherë nuk ka pasur ndonjë problem.

KALLXO.com ka kërkuar nga ana e policisë të dijë nëse personi që ka identifikuar gazetari Ahmeti ka raste të tjera si i dyshuar, por deri në publikimin e këtij shkrimi nuk kemi marrë përgjigje.

Në raportin ditor të Policisë së Kosovës, thuhet se ngjarja ka ndodhur në një kafeteri në rrugën “B” rreth orës 22 e 15.

“Viktima gazetar i RTK-së ka raportuar se derisa kishte qenë në një kafiteri për motive të panjohura ishte sulmuar fizikisht nga i dyshuari”, thuhet në raportin ditor.

Policia ka thënë edhe se në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante policore, viktima si pasoj e sulmit ka pranuar tretman mjekësor.

Sipas policisë i dyshuari  gjendet në arrati. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori i cili e ka cilësuar rastin dhe vazhdon të hetohet.

Sulmi ndaj Altin Ahmetit është dënuar edhe nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK).

AGK tha se e ka marrē me shqetësim këtë sulm fizik.

“Gazetari Altin Ahmeti ka njoftuar se është sulmuar nga pesë persona tē cilët, sipas tij, e kanë kërcënuar me vrasje. Rasti është konfirmuar nga policia, e cila ka njoftuar se janë duke u zhvilluar hetimet. AGK e dënon këtë akt dhe kërkon nga organet e rendit e të drejtësisë që t’i zbulojnë motivet e këtij akti dhe autoret t’i sjellin para drejtësisë”, tha AGK në reagim.