Foto: KALLXO.com

Gazetareve ukrainase u vazhdohet lejeqëndrimi në Kosovë

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka përshëndetur vendimin e Qeverisë së Kosovës për zgjatjen e lejeqëndrimit të gazetareve ukrainase në Kosovë.

Vendimi u mor në 31-vjetorin e Pavarësisë së Ukrainës.

“Qeveria e Republikës së Kosovës sot ka miratuar vendimin për zgjatjen e lejeqëndrimit të gazetareve ukrainase të strehuara përkohësisht në Kosovë. Zgjatja e lejeqëndrimit është bërë në 31-vjetorin e Pavarësisë së Ukrainës, dhe është bërë e ditur nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti” – thuhet në njoftimin e AGK-së.

“Në solidaritet dhe festë të Ditës së Pavarësisë së Ukrainës, sot ua zgjatëm qëndrimin gazetarëve ukrainas në Kosovë, ngritëm flamurin ukrainas krahas atij të Kosovës, dhe ngjyrosëm ndërtesën e Qeverisë sonë” – ka thënë Kurti.

Në Kosovë deri më tani janë strehuar 9 gazetarë ukrainas në kuadër të programit të European Centre for Press and Media Freedom ECPMF “Journalists in Residence – Kosovo” – i cili mbështetet financiarisht nga Qeveria e Kosovës.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka shprehur gatishmërinë që të vazhdojë angazhimin për t’u ofruar gazetarëve ndihmën e nevojshme.

Derisa, gjatë ditës së sotme, shtatë gazetare ukrainase, të cilat po qëndrojnë përkohësisht në Kosovë, dolën  në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë për të mbajtur një protestë simbolike për nder të 31-vjetorit të pavarësisë së Ukrainës nga Bashkimi Sovjetik.

Përmes këtj aksioni ato kërkonin që të ndalet agresioni rus kundër Ukrainës.

Në 31-vjetorin e pavarësisë së Ukrainës, gazetaret ukrainase të strehuara në Kosovë mbajnë një protestë simbolike