Gazetarëve nuk u lejohet hyrja në kampin e të strehuarve nga Shqipëria në Prizren

Gazetarëve nuk po u lejohet hyrja brenda kampit gjerman në Prizren, aty ku janë strehuar qindra qytetarë nga Shqipëria pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit edhe pse incidente u raportuan brenda këtij kampi.

Askush nga publiku nuk e ka parë deri më sot se në çfarë kushte janë duke qëndruar të strehuarit në këtë kamp, pasi mediat nuk janë duek u lejuar brenda.

Ekipi i KALLXO.com ka kërkuar leje për hyrje në kamp, por e njëjta nuk i është aprovuar.

Ndërkaq, Zyra e Kryeministrit të Kosovës, në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se kanë vendosur që komunikimi me media të bëhet në çdo kohë, por vendi ku janë të strehuarit të qëndrojë i qetë.

“Fillimisht ne kemi qene të angazhuar në ofrimin e çdo ndihme të nevojshme dhe në konsultim edhe me të strehuarit, pas përjetimeve që kishin, kemi vendosur që komunikimi me media të behet në çdo kohë, por koha dhe vendi ku qëndrojnë ata të jete i qetë”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Qeveria e Kosovës tutje thekson se ka aktivizuar të gjitha mekanizmat e nevojshëm për t’u dalë në ndihmë për strehim dhe kujdes të gjithë personave që kanë ardhur në Kosovë pas tërmetit me pasoja tragjike në Shqipëri.

“Deri tani mbi 1300 persona janë evidentuar nga autoritetet tona, si persona që janë strehuar qoftë në institucionet tona (ITP) dhe Gjimnazi Gjon Buzuku, qoftë nëpër familje anembanë Kosovës. Aktualisht në Parkun Inovativ Trajnues janë rreth 30 persona të strehuar, të cilëve u është dhënë gjithë ndihma e nevojshme. Kujdesi shëndetësor primar, sekondar dhe tercial (Ministria e Shëndetësisë / Komuna e Prizrenit)”, thuhet në përgjigjen e tyre për KALLXO.com.

Sipas tyre, ushqimi për të strehuarit është siguruar nga donatorë dhe aktualisht po instalohet kuzhina për përgatitje.

Për mos lejimin e mediave brenda kampit në Prizren, KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe në Ambasadën e Gjermanisë në Prishtinë, por nuk ka marr përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.

Kampi në Prizren, 4 dhjetor 2019. Foto: KALLXO.com

Ndërkohë, KALLXO.com mbrëmë ka raportuar për një incident në këtë kamp, ku tre persona janë arrestuar dhe intervistuar nga policia gjatë ditës së djeshme pasi që të njëjtit kishin kërcënuar stafin e mjekëve të urgjencës si dhe nuk i kanë zbatuar urdhrat e zyrtarëve policor.

Burime të KALLXO.com kanë treguar se e gjithë ngjarja kishte nisur kur policia ka marrë një detyrë për asistim të njësitit të urgjencës të cilët gjendeshin brenda kampit.

Një grua rreth të 40-ave i ishte drejtuar me fjalë fyese zyrtarëve policor dhe mjekëve të urgjencës se që një orë kanë thirrur ambulancën.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë në Rajonin e Prizrenit, Shaban Osmanollaj.

“Po, e kemi iniciuar një rast, bëhet fjalë për moszbatim të urdhrave të personave zyrtarë. Disa persona të cilët tani po qëndrojnë në Kampin Gjerman kanë kërkuar ndihmë mjekësore nga mjekët e emergjencave e më pas janë revoltuar dhe kanë tentuar t’i sulmojnë mjekët. Pastaj të njëjtit nuk i janë bindur edhe urdhrave të zyrtarëve policorë. Tre nga ta janë intervistuar”, tha Osmanollaj për KALLXO.com.

Nga data 26 kur ka ndodhur tërmeti në Shqipëri, në Prizren brenda 3 ditëve janë drejtuar mbi 1300 persona për të kërkuar strehim.

Ish baza e KFOR-it Gjermna në Prizren ka rihapur dyert për të strehuar mbi 500 persona të ardhur nga Shqipëria.

Nga tërmeti tragjik në Shqipëri kanë vdekur 52 persona, pas rrënimit të ndërtesave të banimit në Thumanë e Durrës.